Kryetari i komunës së Ulqinit, Loro Nrekiqi ka paralajmëruar hapjen e kufijve të Malit të Zi ndaj vendeve të rajonit.
Sipas Nrekiqit vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtohet sezoni turistik në Ulqin dhe më gjerë.
Ai ka konkretizuar se në listën e shteteve ndaj të cilit Mali i Zi do të hapë kufijtë është edhe Kosova e Shqipëria. Kufiri sipas kryetarit të Ulqinit do të hapet në mbarim të kësaj jave dhe turistët do të mund të hyjnë në territorin e Malit të Zi pa pasur nevojë të dëshmojnë se kanë rezultuar negativ në testin për koronavirus, njofton Gazeta Ulqini.
Nrekiq pohon se hapja e kufirit me Kosovën ka rëndësi të dorës së parë pasi nga ky vend vijnë rreth 70 përqind e turistëve. Mundësinë e hapjes së kufijve të Malit të Zi ndaj shteteve të rajonit e kanë vërtetuar edhe burime nga Ministria e Turizmit.
Nga Trupi Nacional Koordinues i sëmundjeve ngjitëse të Malit të Zi dje janë shprehur se pas hapjes ndaj vendeve të BE-së do të shqyrtojnë mundësinë për hapjen e kufijve ndaj shteteve të rajonit.
Situata në Malin e Zi sa i përket koronavirusit është nën kontroll, pasi numri i të infektuarve është vetëm 249 në nivel shtetëror./Gazeta Sinjali/