Shtetet e Bashkuara dhe Irani po i afrohen një memorandumi mirëkuptimi për një armëpushim 60-ditor, në kuadër të një pakete më të gjerë negociatash që synon uljen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për një marrëveshje përfundimtare.
Sipas raportimeve të Bloomberg, drafti me 14 pika parashikon një kornizë të gjerë angazhimesh që përfshin ndërprerjen e armiqësive në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, heqjen graduale të sanksioneve ndaj Iranit, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe vendosjen e rregullave të reja për programin bërthamor iranian.
Marrëveshja e propozuar parashikon që të dyja palët të nisin negociata intensive për një zgjidhje përfundimtare brenda 60 ditëve, me mundësi zgjatjeje në rast dakordësie. Në draft theksohet gjithashtu respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe shmangia e ndërhyrjeve në punët e brendshme.
Një element kyç i marrëveshjes është normalizimi i lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, ku SHBA do të angazhohej për heqjen e kufizimeve detare dhe rikthimin e trafikut tregtar, ndërsa Irani do të ndërmerrte hapa për stabilizimin e rrugëve detare dhe çminimin e zonave të rrezikshme.
Drafti parashikon gjithashtu një paketë ekonomike prej rreth 300 miliardë dollarësh për rindërtimin e Iranit, si dhe një proces të koordinuar për heqjen graduale të të gjitha sanksioneve amerikane dhe ndërkombëtare.
Në fushën bërthamore, Irani zotërohet të mos zhvillojë armë bërthamore, ndërsa deri në marrëveshjen përfundimtare do të ruhet status quo-ja aktuale, pa zgjerim të programit bërthamor dhe pa sanksione të reja nga SHBA.
Marrëveshja pritet të marrë formë përfundimtare përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila do t’i japë asaj fuqi ligjore ndërkombëtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!