image Nga ankues në të dyshuar – Iu gjenden fishekë dhe kapsolla në shtëpi, ndryshon kualifikimi i rastit në Mitrovicë të Veriut

Ekskluzive

Nga ankues në të dyshuar – Iu gjenden fishekë dhe kapsolla në shtëpi, ndryshon kualifikimi i rastit në Mitrovicë të Veriut

news image

Një zhvillim i papritur ka ndodhur në lidhje me rastin e tentim vjedhjes të raportuar më 19 qershor 2025 në rrugën “Anke Spajiq” – Mitrovicë e Veriut, ku fillimisht ishte intervistuar një person si ankues, por pas hetimeve ai është kthyer në të dyshuar.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Nebojsha Dragoviq, rreth 70-vjeçar, në shtëpinë e të cilit, gjatë kontrollit pas incidentit, janë gjetur: 27 fishekë të karabinës 7.9 mm, 129 kapsolla për mbushje të fishekëve të gjuetisë dhe rreth 44 kapsolla 9 mm për mbushje të fishekëve.

Fillimisht, hetuesi kujdestar kishte marrë udhëzim nga prokurori që rasti të trajtohej me raport informues. Por më 24 qershor 2025, pas konsultimeve shtesë, Prokurori i rastit ka urdhëruar që rasti të iniciohet në drejtim të veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.

Si rezultat, Dragoviq është rikualifikuar si i dyshuar dhe është intervistuar në këtë cilësi nga njësia e hetimeve.

Hetimet rreth origjinës së municionit dhe qëllimit të mbajtjes së tyre janë në zhvillim e sipër.

Sinjali do t’ju informojë për çdo zhvillim të mëtejmë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/