image Nesër vazhdon gjykimi i Salih Mustafës

Drejtësi

Nesër vazhdon gjykimi i Salih Mustafës

news image

Nesër në Gjykatën Speciale në Hagë me fillim nga ora 09:30, do të vazhdoj procesi gjyqësor kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, transmeton Gazeta Sinjali.

Në seancën e parë të gjykimit më 15 shtator, u bë e ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021.

Aktakuza ndaj tij u konfirmua më 12 qershor të vitit 2020, ndërkaq ai u arrestua më 24 shtator të atij viti. Mustafa kishte mohuar akuzat ndaj tij.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale.

Në aktakuzën e konfirmuar, Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt./Gazeta Sinjali/