image Tensionet në veri dhe mundësia e përshkallëzimit - Këshilli i Sigurimit të OKB-së nesër diskuton për Kosovën

Kosovë

Tensionet në veri dhe mundësia e përshkallëzimit – Këshilli i Sigurimit të OKB-së nesër diskuton për Kosovën

news image

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KSOKB), nesër do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut, pritet të fillojë në ora 16:00.

Sipas raportit të Guterres i publikuar ditë më parë nga mediat serbe, atmosfera në Kosovë është ende e tensionuar dhe ekziston rreziku i përshkallëzimit të tensioneve.

“Atmosfera në veri të Kosovës është ende e tensionuar, me mundësinë e përshkallëzimit ende të pranishme. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përsërisin angazhimin e tyre për dialogun me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese”, ka thënë Guterres në raportin e rregullt gjashtëmujor për gjendjen në Kosovë.

Që nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.

Në vitin 2019 për Kosovën janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa nga viti 2020 mbahen çdo vit dy seanca, në prill dhe tetor.

Seanca e fundit në të cilën është diskutuar raporti gjashtëmujor i OKB-së ishte mbajtur më 22 prill, në të cilën Kosova ishte përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Në seancën e OKB-së më 22 prill, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një pjesë të fjalimit të saj ua kishte dedikuar grave që janë të mbijetuara nga masakrat e kryera nga forcat jugosllave në Kosovë.

Të pranishme në këtë seancë me Osmanin kanë qenë, Elhame Muçolli, një grua që ka familjarë të zhdukur në luftë, Fahrije Hoti, si dhe dy gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, dhe Shyhrete Tahiri.

Ajo e ka përsëritur nevojën për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Në anën tjetër, Vuçiq është ankuar pse ato gra kishin marrë pjesë në takim, duke thënë se ato nuk janë pjesë e stafit diplomatik, dhe pse është diskutuar për të kaluarën, sidomos për kohën e luftës, duke pretenduar se në kohën e luftës ka pasur edhe gra serbe të dhunuara seksualisht në Kosovë.

Osmani, në anën tjetër, kishte thënë se gratë pjesëmarrëse janë edhe pjesë e kabinetit të saj.

/GazetaSinjali/