Nesër, duke filluar nga ora 11:00 në Gjykatën Speciale në Hagë, do të mbahet konferenca e radhës për ecurinë e çështjes së rastit ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj, shkruan Gazeta Sinjali.
Aktakuza ndaj tyre u konfirmua më 11 dhjetor 2020.
Gucati dhe Haradinaj akuzohen për “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.
Në seancën që u zhvillua më 19 dhjetor në Hagë, Hysni Gucati u deklarua i pafajshëm para Dhomave të Specializuara. Gucati tha se ai dhe bashkëluftëtarët e tij kanë luftuar për liri dhe në mbrojtje të atdheut. I pafajshëm është deklaruar edhe Haradinaj.
Më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Me konfirmimin e aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka dërguar në Gjykatën e Apelit vazhdimin e paraburgimit të tij nga Dhomat e Specializuara.
Më 24 dhjetor 2020, gjykatësi i procedurës paraprake vendosi që t’i vazhdohet paraburgimi Haradinajt dhe mohoi kërkesën e tij për një seancë dëgjimore për këtë çështje.
Më 5 janar Haradinaj ka apeluar ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, por Paneli i Gjykatës së Apelit pranë Dhomave të Specializuara ka refuzuar apelin e Nasim Haradinaj kundër vendimit për mbajtjen e tij të mëtejshme në paraburgim./Gazeta Sinjali/