Nesër, 28 gusht, organizohet afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për të gjithë maturantët të cilët nuk kanë arritur të kalojnë në afatin e parë.
Në afatin e dytë të provimit të Maturës Shtetërore do t’i nënshtrohen rreth 6 mijë e 700 maturantë në 68 qendra të testimit, kurse në këtë proces do të angazhohen rreth 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues.
“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë“.
Duke pasur parasysh masat anti-COVID-19, MAShTI kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në Provimin e Maturës që të respektojnë me përpikëri masat kundër pandemisë”, thuhet në njoftim.
MAShTI, gjithashtu nga të gjithë personat e angazhuar në proces kërkon që të realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, ndërkaq kërkon që çdo parregullsi të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI.
Këshilli Shtetëror i Maturës do të marrë masa sipas Ligjit të Maturës, për të gjithë pjesëmarrësit për të cilët ka fakte për shkelje të procedurave. Bazuar në këtë Ligj dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit dhe kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga provimi.
“Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës“.
Rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 8 shtator”, thuhet në njoftim. /GazetaSinjali/