Automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë nuk do të lejohen të qarkullojnë në autoudhët e Kosovës të premten, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se kufizimi i përkohshëm do të zbatohet nga ora 11:00 deri në 17:30.
Sipas ministrisë, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, janë plotësuar kushtet për zbatimin e vendimit që parasheh kufizimin e qarkullimit të këtyre automjeteve.
Kufizimi do të zbatohet në autoudhë, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.
Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime të qarkullimit, pasi sipas ministrisë nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim për zbatimin e kësaj mase.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e përditshëm të temperaturave dhe do t’i njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim që lidhet me zbatimin e këtij vendimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!