image Nesër deputetët votojnë për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, këta janë kandidatët

Drejtësi

Nesër deputetët votojnë për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, këta janë kandidatët

news image

Nesër do të mbahen dy seanca të Kuvendit të Kosovës. Në seancën e dytë, e cila pritet të fillojë në orën 11:00, do të shqyrtohen dhe do të kërkohen votat e deputetëve për 12 çështje.

Në mesin e pikave të rendit të ditës do të jetë edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit Prokurorial nga radhët e fakulteteve juridike në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.

Kandidatët për anëtarë të KGJK-së që i janë propozuar Kuvendit të Kosovës për votim janë: Driton Muharremi, Hashim Çollaku, Hasim Sogojeva dhe Vilard Bytyqi.

Paraprakisht, kandidatët janë proceduar në Kuvend duke u zgjedhur nga shumica e përgjithshme e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion.

Nga këta 4 kandidatë, Kuvendi i Kosovës në seancë plenare me votim të fshehtë do t’i zgjedhë 2 prej tyre.

Driton Muharremi është gjyqtar i Gjykatës së Apelit dhe punon në Departamentin për Krime të Rënda. Ai ka pasur në trajtim disa prej rasteve të rënda për korrupsion, në cilësi të ndryshme në kolegjet e Apelit.

Muharremi është doktor i shkencave juridike dhe ligjëron në Kolegjin AAB, në lëndën Procedurë Penale. Po ashtu, Muharremi është autor i tre librave universitar dhe bashkautor i fjalorit “Terminologjia kriminalistike”, i botuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Kandidati tjetër për anëtar të KGJK-së është gjyqtari Hashim Çollaku. Ai është gjyqtar në Gjykatën e Apelit, në Departamentin e Përgjithëshëm, Divizoni Penal. Çollaku është zgjedhur nga KGJK në pozitën e nënkryetarit të Gjykatës së Apelit, derisa në kohën kur zgjedhja e Gjyqtarit Hasan Shala në krye të Gjykatës së Apelit ishte anuluar nga Gjykata Kushtetuese, Hashim Çollaku ishte zgjedhur u.d. i kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Kandidati tjetër, Hasim Sogojeva fillimisht ka shërbyer në Gjykatën Komunale në Ferizaj dhe më pastaj në Gjykatën Themelore në Prishtinë, derisa nga viti 2019, i njëjti shërben si gjyqtari i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

KGJK përbëhet nga 13 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës dhe shtatë të tjerë nga ana e gjyqësorit. Ata kanë mandat pesë vjeçar. /Gazeta Sinjali