image “Nëse je burrë dil pa uniformë, e shohim cili është më i fortë me u rreh”/ Kërcënohet polici në Fushë Kosovë, i dyshuari në kërkim

Siguri

“Nëse je burrë dil pa uniformë, e shohim cili është më i fortë me u rreh”/ Kërcënohet polici në Fushë Kosovë, i dyshuari në kërkim

news image

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Për një rast të tillë që ka ndodhur në Fushë Kosovë, Prokuroria është vënë sot në dijeni, me ç’rast një person është shpallur në kërkim.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se një person, i moshës 32-vjeçare, për arsye ende të panjohura, ka kërcënuar një zyrtar policor (emër i njohur për redaksinë), përmes rrjetit social ‘Messenger’.

Mesazhi që mori polici e shqetësoi atë tejmase, për çka e denoncoi menjëherë rastin dhe i njoftoi hetuesit se cilat ishin fjalët e të dyshuarit.

Sinjali mëson se si dëshmi për rastin, Prokuroria ka siguruar mesazhet e të 32-vjeçarit, i cili ndër të tjera i ka thënë policit se “nëse je burrë, dilem pa uniformë dhe e shohim cili jena ma i fortë për me u rreh”. Madje, i dyshuari e ka paralajmëruar zyrtarin policor edhe për hakmarrje. “Nëse nuk del kur të takohemi me uniformë, kam me t’u hakmarrë keq”.

Si rezultat i denoncimit, Policia e ka ftuar të dyshuarin për intervistimin, por pasi ai nuk është paraqitur, është shpallur në kërkim, si dhe janë njoftuar stacionet përkatëse që i njëjti të ndalohet.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detaje të reja.

/GazetaSinjali/