Afër 65 për qind të pjesëmarrësve në votim kanë votuar për masat e ashpërsimit të kritereve për natyralizim në këtë kanton
Bëhet fjalë për Kantonin Aargau,ku përmes një referendumi kanë ashpërsuar kriteret për fitimin e pasaportës ziverane në këtë kanton.
Afër 65 përqind të pjesëmarrësve në votim kanë votuar për masat e ashpërsimit, sipas propozimit të shtruar në iniciativën e ndërmarrë nga partitë e djathta: SVP, FDP dhe CVP.
Me ashpërsimin për fitimin e pasaportës zvicerane, të huajt të cilët do të aplikojnë për të marrë pasaportën zvicerane, duhet të dëshmojnë se nuk kanë marrë ndihma sociale gjatë dhjet viteve të fundit.
Një shumicë e Parlamentit Kantonal kishte kërkuar që në të ardhmen vetëm ata të huaj që nuk kanë marrë ndihmë sociale gjatë dhjetë viteve para aplikimit, mund të natyralizohen, pra, të marrin pasaportën zvicerane. Diçka e tillë shkon përtej kritereve minimale të përcaktuara nga federata, të cilat kërkojnë një periudhë tre vjeçare si bazë për të aplikuar për natyralizim.
Përkrahësit e ashpërsimit argumentojnë se ata që duan të bëhen zviceranë, duhet të jenë të pavarur ekonomikisht. Përjashtimet për rastet e vështirësive siç është paga e ulët janë ende të lejuara. E njëjta gjë vlen nëse dikush ka marrë ndihmë sociale pa ndonjë faj të vetin, për shembull nëse ka qenë i sëmurë, i paaftë ose prind vetushqyes.
Test para aplikimit për pasaportë
Partia Sociademokrate (SP), Të Gjelbrit (GPS), Të Gjelbrit Liberalë (GLP) dhe Partia Evangjeliste (EVP) e përshkruajnë ligjin si “të padenjë”. Për to, ashpërsimi nga tre në dhjetë vjet është disproporcional dhe diskriminues. Për më tepër, kundërshtarët kritikojnë duke thënë se është e vështirë të zbulohet nëse dhe kur dikush ka marrë ndihmë sociale. Do të ishte veçanërisht e vështirë që kjo të konstatohet sidomos në rastet kur aplikuesi ka jetuar edhe jashtë kantonit të Aargaut gjatë dhjetë viteve të fundit. Kështu, rregullat e reja mund të zbatohen vetëm me kusht të një angazhimi të madh burokratike.
Ligji i natyralizimit i Aargaut do të ashpërsohet edhe në një pikë tjetër. Në të ardhmen, të huajt duhet të kalojnë një provim të “qytetarisë” përpara se të paraqesin kërkesën për natyralizim. Në këtë provim do të testohen njohuritë e tyre për aspektet gjeografike, historike, sociale dhe politike të kantonit. Vetëm ata që u përgjigjen në mënyrë të saktë dy të tretave të këtyre pyetjeve pranohen në procedurën e natyralizimit. Edhe përkundër kësaj, komuna do të ketë ende mundësi të kontrollojë njohuritë e aplikuesit në intervistën e rregullt për natyralizimin.