image Nëpër shkollat e Kosovës po diskutohet për koronavirusin, merren masat e para

Kosovë

Rreziku/ Nëpër shkollat e Kosovës po diskutohet për koronavirusin, merren masat e para

news image

Vdekjet e shpeshtuara të personave të infektuar me koronavirus dhe infektimi i afro 100 mijë njerëzve në mbarë botën e ka shtyrë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrinë e Shëndetësisë që të marrin masa parandaluese.

Dje, me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë kanë shpërndarë nëpër shkolla materiale vetëdijsuese për virusin vdekjeprurës. Gjithashtu, MASHTI ka udhëzuar drejtoritë komunale të arsimit që t’i pajisin shkollat me material higjenik dhe ta bëjnë dezinfektimin e shkollave, shkruan Gazeta Sinjali.

“MAShTI i ka udhëzuar DKA-të që t’i pajis shkollat me material higjienik dhe të gjitha institucionet shkollore të bëjnë dezinfektimin e shtuar të të gjitha sipërfaqeve dhe nyjave sanitare”, ka shkruar dje ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami.

Dje nëpër shkollat e Kosovës, ora e parë e ndërrimit të pasdites i është kushtuar rritjes së vetëdijsimit të nxënësve për koronavirusin, ndërsa e njëjta gjë pritet të bëhet në shkolla edhe në orën e parë të ndërrimit të paradites. /Gazeta Sinjali/