Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka vizituar sot Komunën e Deçanit, transmeton Gazeta Sinjali.
Me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Deçanit sot nënshkruan marrëveshjen për financimin dhe ndërtimin e objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Strellc të Epërm në vlerë prej 260 mijë eurove në bashkëfinancim mes këtyre dy institucioneve.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se ky është gëzim për këtë komunë sepse ndërtimi i kësaj qendre ishte i nevojshëm edhe më herët.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë̈, Armend Zemaj është shprehur se shumë shpejt do të fillohet me implementimin e kësaj marrëveshje, si dhe do të vazhdohet me funksionalizimin e QKMF-së dhe Emergjencës.
“Pandemia na ka vendosur në një pozicion tjetër të menaxhimit, të gjithë pjesës infrastrukturore në shëndetësi, po mundohemi t’i racionalizojmë shpenzimet, t’i identifikojmë nevojat dhe përmes kujdesit parësor ta ndihmojmë shëndetësinë kosovare, jo vetëm atë kujdesin dytësor dhe terciar. Ne kemi nënshkruar një memorandum i cili shumë shpejt do të hyjë në implementim dhe ta funksionalizojmë në plotësi edhe QKMF-në edhe Emergjencën por edhe ndërtimin e AMF-së në Strellc, që të iu ndihmojmë qytetarëve sado pak që t’ia lehtësojmë jo vetëm përballjen me pandeminë por dhe në ruajtjen e shëndetit publik”, ka thënë Zemaj.
Më pas ministri i Shëndetësisë̈, Armend Zemaj, ka vizituar edhe shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Deçan.
Gjithashtu, ministri iu është drejtuar nxënësve se do të vazhdojë përkrahja ndaj tyre, mirëpo ai ka lutur nxënësit qe të mbajnë distancën dhe të bëhet kujdes edhe gjatë përshëndetjes së tyre me shokët e klasës, sepse vetëm kështu parandalojmë infektimin me COVID-19. /Gazeta Sinjali/