Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe EUROPOL-i kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, e cila do ta ndihmojë Kosovën në parandalimin e krimit dhe të terrorizmit.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i MPB-së, Agim Veliu. Ai tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova ka forcuar kapacitetet për parandalimin e terrorizmit dhe krimeve të rënda.
Veliu tha se iniciativa për nënshkrimin e marrëveshjes me EUROPOL-in ka nisur qysh në vitin 2016.
“Sot është një ditë e veçantë për Kosovën dhe veçanërisht për Policinë e Kosovës sepse me nënshkrimin e kësaj kemi forcuar kapacitetet tona për parandalimin e terrorizmit dhe krimeve të rënda. Iniciativa ka filluar qysh në vitin 2016, duke u bërë përpjekje nga institucionet e Kosovës e veçanërisht nga policia e Kosovës”.
Veliu ka theksuar se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje policisë së Kosovës do t’i ofrohet një mjet më shumë për ta goditur kriminalitetin dhe për të mbrojtur sigurinë.
“Rajoni dhe Evropa po përballen me organizata terroriste dhe grupe kriminale. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje Policisë së Kosovës do t’i ofrohet një mjet për të goditur kriminalitetin dhe kjo do të ndikojë në ruajtjen e sigurisë. Marrëveshja sot është ajo bazë deri sa pritet të nënshkruhen edhe dy memorandume”.
Nataliya Apostolova, shefe e zyrës së BE-së në Kosovë, ka thënë se marrëveshja e Kosovës me EUROPOL do ta vendosë Kosovën të barabartë me vendet e rajonit.
“Luftimi i krimit është prioritet i yni i përbashkët. Nënshkrimi i sotëm ndërmjet EUROPOL-it dhe Kosovës është se si për të luftuar krimet e rënda dhe do të jetë aset i madh për Kosovën. Ky nivel është i rëndësishëm për trajtimin e krimeve që ndikojnë në Evropë dhe Kosovë. Marrëveshja e sotme e vendosë Kosovën në vendet e barabarta me vendet e rajonit”
“Ky është eventi i fundit në Kosovë, dhe shfrytëzoj t’i falënderoj të gjithë institucionet dhe mediet për bashkëpunimin tonë dhe i uroj çdo të mirë Kosovës”, ka shtuar Apostolova. /Gazeta Sinjali