Avokati Besnik Berisha është përjashtuar nga gjykimi i Shaban Gogajt, e OAK ka vendosur që mos të caktojë asnjë avokat tjetër në këtë rast dhe se kushdo që nuk respekton vendimet e këtij institucioni, bën shkelje disiplinore, shkruan Gazeta Sinjali.
Për këtë ka folur nënkryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Naim Rudari, i cili ka thënë se është ashpërsuar gjuha e institucioneve ndaj OAK-ut.
“Është ashpërsuar gjuha e bartësve institucioneve të Drejtësisë në raport me Odën e Avokatëve të Kosovës, kryesisht nga kryesuesi i Këshilli Gjyqësor i Kosovës, madje edhe nga ministrja e Drejtësisë, që po kërkojnë të anulojnë një vendim që është ndërtuar në bazë të një hetimi të gjatë që gjykata nuk ka pasur të drejtë të shqiptojë vendime për përjashtimin e avokatit nga seanca“, ka thënë Rudari në RTV Dukagjini.
Rudari ka thënë se ministrja Haxhiu është dashur të kërkojë nga KGJK se çfarë ka ndodhur në gjykatë.
“Ministrja e Drejtësisë në fillim të shkresës së saj ka thënë: me shqetësim e ndaj mosveprimin e Odës së Avokatëve të Kosovës. Ministrja ka të drejtë të kërkojë nga ne që të njoftohet se çka ka në brendësi por është dashur të kërkojë nga KGJK se çfarë ka ndodhur në gjykatë“, ka thënë ai.