Një histori e fortë mbijetese ka dalë nga zonat e goditura nga tërmetet shkatërruese në vend, ku një nënë dhe foshnja e saj 18-ditëshe janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur.
Dayana Patino ndodhej në banesën e saj në katin e tetë në rajonin bregdetar të La Guaira kur lëkundjet e fuqishme të tokës shkaktuan shembjen e ndërtesës, duke e zënë atë së bashku me djalin e saj të porsalindur, Juan David.
Sipas rrëfimit të saj, ajo reagoi menjëherë duke e marrë foshnjën në krahë në momentin e tërmetit, por shumë shpejt u përball me shembjen e strukturës. Ajo ka përshkruar për mediat ndërkombëtare momentet dramatike, duke thënë se ndjente sikur “po fundosej dhe po fluturonte njëkohësisht”, ndërsa mbeti e bllokuar mes rrënojave.
Nëna dhe foshnja qëndruan të bllokuar për orë të tëra, derisa ekipet e shpëtimit arritën të lokalizonin britmat e saj dhe t’i nxirrnin të dy të gjallë mbrëmjen e së enjtes.
Ajo ka thënë se foshnja i dha forcë për të mbijetuar, duke theksuar: “Sa kohë që ai ishte gjallë, unë do të luftoja për të jetuar.”
Rasti i tyre është kthyer në një simbol shprese në mes të katastrofës që ka goditur Venezuelën, ku tërmetet e fundit kanë shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale në disa rajone të vendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!