image Nëna e Astrit Deharit flet për Sinjalin: Prokurori Afrim i paska pas mostrat në xhep, tash i paska kthy

Drejtësi

Nëna e Astrit Deharit flet për Sinjalin: Prokurori Afrim i paska pas mostrat në xhep, tash i paska kthy

news image

Sot u raportua në media vendase se janë gjetur disa mostra të Astrit Deharit të cilat ishin zhdukur tash e sa kohë. Mirëpo, nëna e ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, Xhemile Dehari në një bisedë për Gazetën Sinjali tha se nuk kanë informacione për gjetjen e mostrave të birit të saj.

Madje, ajo sugjeroi që të pyetet Prokurori i rastit, Afrim Shefkiu.

Na as nuk i kemi marrë as nuk i kemi çu atje (IML). Pse nuk e thirrni prokurorin? Ai I paska marrë ai i paska kthy. Pyeteni Afrimin, ai e din më së miri. Ai i paska pas edhe në xhep me veti i ka mbajt, i paska kthy tash“, u shpreh ajo.

Në orët e mbrëmjes Nacionale përmes burimeve të veta raportoi se janë gjetur disa mostra të Astrit Deharit.

Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur për media kishte thënë se mostrat e ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal. E kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit Besim Kelmendin dhe drejtorin e policisë Fehmi Hotin. Kam vizituar IML-në”, tha ajo

Ajo tha se në atë hapësirë të IML-së ku janë ndodhur mostrat kanë qasje vetëm 3 persona.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy eroveta ja kanë dhënë Institutit Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku rrinë epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”.

Gazeta Sinjali ka pyetur ministren Haxhiu për raportimet e fundit mirëpo deri në publikimin e artikullit, nuk ka kthyer përgjigje.

/GazetaSinjali/