image Nëna e Astrit Deharit e akuzon ish kryeprokurorin Hoxha: Pse nuk e tregove raportin e mjekëve të pavarur

Sociale

Nëna e Astrit Deharit e akuzon ish kryeprokurorin Hoxha: Pse nuk e tregove raportin e mjekëve të pavarur

news image

Xhemile Dehari, nëna e aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka folur sonte për rastin e të birit, ku ka drejtuar akuza drejt ish kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, raporton Gazeta Sinjali.

Në një bisedë telefonike drejtpërdrejt në emisionin ‘Rubikon’, Xhemile Dehari, ka thënë se Hoxha ka konstatuar se Astriti ka kryer vetëvrasje, por sipas saj, raporti i mjekësisë ligjore thotë ndryshe.

Ajo e ka pyetur Hoxhën se përse nuk e ka treguar raportin e mjekëve të pavarur dhe të njëjtin nuk e kanë dërguar në Zvicër.

“Si pikë e parë, ky rast nuk është veç sot, që 600 vjet e kemi. Sylë Hoxha e di shumë mirë se çka ka punu, qysh ka punu. Para disa javëve në një emision e pashë, tha më ka detyru Lumezi me lexu atë farë deklarate. 12 ditë mas vrasjes së Astritit, ka dalë ka thanë është vetëvrasje. E përmendi edhe raportin e mjekësisë ligjore. Pse nuk e tregoi raportin e mjekëve të pavarur? As nuk e çun as në Zvicër këto shokët e tij. Po këtij po i drejtohna drejtpërdrejt. Pse nuk e ka lexu atë raport me pa se qysh paska qenë? Edhe në raportin e mjekësisë ligjore e kam lexu edhe unë, nuk shkrun që është vetëvrasje. Konstatimi i Sylë Hoxhës është vetëvrasje. Konstatimi i tij vetë, personalisht”, ka thënë ajo.

Tutje nëna e Astritit ka refuzuar të ketë komunikim direkt me ish kryeprokurorin Hoxha, duke e akuzuar se “e di ai shumë mirë çka ka bë në burg”.

“Nuk kam qejf me ia ndëgju zanin, po të tregoj drejt. As s’du zanin me ia ndi, as fytyrën me ia pa. Ju lutem, nuk du. Se ka punu ai puntë e veta, e di ai shumë mirë çka ka bo edhe në burg. E di shumë mirë çka ka bo se e ka marrë edhe në pyetje djalin tem edhe gjithçka ka bo”, tha tutje Xhemile Dehari.

Në anën tjetër, ish-kryeprokurori Sylë Hoxha, ka thënë se askush nga prokurorët e shtetit, nuk punon me tendencë.

Hoxha, ka deklaruar se hetimin për rastin e Astrit Deharit, e kanë bërë në mënyrën më profesionale, derisa kur është kërkuar që rasti të kalojë në Prokurorinë Speciale.

”Nuk kam punuar e as nuk punon kush prej prokurorëve të shtetit me tendencë. Këtu është një kod i etikës, jepet një betim për këto punë. E kemi një përgjegjësi që ia japim dikujt. Përkundrazi, nuk ka asnjë tendencë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Astrit Dehari, u gjet pa shenja jete brenda qelisë së paraburgimit në Prizren dhe vdekja e tij vazhdon të jetë edhe sot një mister.

Në muajin dhjetor Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se 12 mostra të Astrit Deharit janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Sipas saj, vetëm tre persona kishin qasje në vendin ku ruheshin mostrat tash e sa vjet.

/GazetaSinjali/