image ‘Në vendin ku vdiq e kishte shpëtuar kolegun e tij’, familja ngrit dyshime për vdekjen e 51-vjeçarit në gurthyesin “Flori” në Suharekë

Siguri

‘Në vendin ku vdiq e kishte shpëtuar kolegun e tij’, familja ngrit dyshime për vdekjen e 51-vjeçarit në gurthyesin “Flori” në Suharekë

news image

Muajve të fundit ka pasur disa raste tragjike të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e lëndimeve në vendet e punës. Ndonëse këto raste janë në rritje, kompanitë vendore bëjnë shumë pak për përmirësimin e kushteve të punës. Gazeta Sinjali ka raportuar mbrëmë për një ngjarje të tillë dhe mjaft të rëndë që ka ndodhur në gurthyesin “Flori” në fshatin Studençan të Suharekës, ku punëtori 51-vjeçar, Nusret Mustafa ka humbur jetën pasi e zuri makina me të cilën po punonte.

Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prizren tashmë ka nisur hetimet dhe ka urdhëruar masën e ndalimit policor për pronarin e gurthyesit, Bujar Binakun, i cili si përgjegjës i kompanisë do të hetohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Vdekja e Nusretit ka tronditur gjithë familjen e tij, të cilët po kërkojnë drejtësi për të kuptuar se si ka ndodhur rasti, pasi akoma nuk kanë marrë informacione të plota për rrethanat e vdekjes së tij.

Në një rrëfim për Gazetën Sinjali, një familjar i të ndjerit Mustafa, ka thënë se Nusreti ka punuar për vite me radhë aty dhe kushtet e punës kanë qenë mjaft të rënda. Në të njëjtin vend ku ai e gjeti vdekjen, një ditë para rastit tragjik e kishte shpëtuar një koleg të tij.

“Një ditë para se me vdekë, i ka treguar motrës se si në të njëjtin vend e ka zënë rryma një koleg edhe ky e ka shpëtuar. Po në atë vend, të nesërmen duke punuar me atë maqinë, ka humbur jetën. Na nuk po e dimë prej çka ka ndodhur vdekja…Kushte të rënda, as mbrojtëse as kurgjo”, tha ai për Sinjalin.

Të shqetësuar skajshmërisht për rastin, i afërmi i të ndjerit ka treguar se kanë marrë versione të ndryshme se si ka ndodhur rasti. Madje ata dyshojnë se rasti nuk po trajtohet siç duhet, prandaj po kërkojnë që të zbardhen të gjitha rrethanat.

“Për më shumë se shtatë vjet ka punuar aty. Dje më thirrën hajde se ka vdekur Nusreti, shkuam në Emergjencë, kur hinëm aty ishin bërë gati me dërgu trupin te Mjëksia Ligjore. I pyeta se cili është shkaktari i vdekjes, më thanë që traka ia ka zënë krahun edhe ka vdekur. Nuk treguan asgjë. Policia i kërkoi kamerat, thanë që nuk punojnë kamerat. Ai punëtori tregojke ndryshe. Secili me versione të ndryshme. Këta po mundohen në ato mënyrat e veta”, rrëfeu tutje.

Duke kërkuar që të hetohet rasti drejtë, familja po shpreson që do të zbulojnë se cili ka qenë shkaktari i vdekjes së Nusretit.

“Veç drejtësi po kërkojmë. Ne nuk e dimë se në sa ora ka vdekur, disa po thonë që ka qëndru kufoma shumë aty. S’e dimë a iu ka dhënë ndihma e parë apo është mundu dikush…”, përfundoi ai.

Të ndjerit nesër i jepet lamtumira e fundit, pasi sot e kanë pranuar trupin e pajetë, që ishte dërguar gjatë ditës së djeshme në IML për obduksion.

Hetimet ndaj Bujar Binakut, pronarit të gurthyesit

Bujar Binaku tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe gjatë kësaj kohe Prokuroria është duke ndërmarrë veprime hetimore, me ç’rast do të vendoset se a do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Sinjali ka kontaktuar edhe menaxherin e gurthyesit, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefonatat e Sinjalit.

Vepra për të cilën dyshohet Binaku është e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, që parasheh burgim deri në 12 vjet.

“Kushdo që është përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës dhe i cili nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i mirëmban ato në gjendje të rregullt për punë, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme apo nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve ose shkakton dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Nëse vepra penale rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.”

Gjykata po ashtu mund t’ia shqiptojë kryesit kushtin që të instalojë pajisjet e sigurisë brenda afatit kohor të caktuar.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/