Klinika e Urologjisë ka bërë të ditur se gjatë pjesës së parë të këtij viti ka kryer mbi 400 operacione. Drejtori i kësaj klinike, Sabit Mehmeti, ka njoftuar se këto operacione, duke filluar prej intervenime të vogla e deri te ato më të ndërlikuara dhe më sfiduese, janë realizuar në dy salla operative.
“Duke marrë parasysh gamën e gjerë të operimeve të kryera me sukses te lartë, nevoja për dërgim të pacientë jashtë vendit është relativisht e vogël. E gjithë kjo punë arrihet me ndihmën e pamohueshme dhe bashkëpunimin e ngushtë me Klinikën e Anesteziologjisë”, thotë Mehmeti.
Sipas raportit 6 mujor të punës, urologët kanë trajtuar me ESWL (aparaturë për thyerjen e gurëve në veshkë dhe ureter) 330 pacientë. Raporti shton se brenda kësaj kohe, janë bërë më shumë se 600 ekzaminime endoskopike, 50 ekzaminime urodinamike, 30 aplikime të nefrostomave dhe 100 biopsi të prostatës.
Drejtori i Klinikës së Urologjisë Mehmeti, më tutje, thotë se hapja e qendrës së re ambulantore i ka dhënë mundësinë mjekëve të pranojnë numër më të madh të pacientëve.
“Me këto kushte të ofruara janë shumë të kënaqur, si pacientët, të cilët përgëzojnë dhe falënderojnë çdo ditë për shërbimet e ofruara , e poashtu edhe personeli mjekësor”, pohon Drejtori i Klinikës së Urologjisë”, ka njoftuar ai, përcjellë Zyra për Informim e QKU-së.
Mjekët specialistë i janë përgjigjur kërkesës së 3.523 pacientëve për kontrolle mjekësore në ambulancat specialistike, 500 raste më shumë në krahasim me 6 mujorin e parë të vitit të kaluar./Sinjali/