Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me kancelarin austriak, Karl Nehammer, nga i cili mori mbështetje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.
Gjatë takimit u diskutua edhe për agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe efektet e mundshme në Ballkanin Perëndimor.
Osmani tha se duhet të parandalohet rreziku i destabilizimit të rajonit nga Rusia dhe aleati i saj Serbia.
Më tej, Presidentja ka theksuar se me agresionin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës, siguria në Evropë është kritike.
Sipas Presidentes Osmani, qëndrimi i Kosovës për Ukrainën është në përputhje të plotë me qëndrimin e BE-së, SHBA-së dhe të gjitha vendeve demokratike.
Në takim me kancelarin Nehammer, është diskutuar edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fusha të interesit të dyanshëm.