Në Spitalin e Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri, ka nisur punën salla operative e Urologjisë. Funksionalizimi i sallës operative të Urologjisë erdhi si rezultat i investimit nga “Gjysmëhëna e Kuqe”, investimeve vetanake të Spitalit “Sheikh Zayed” dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Univeristar të Kosovës.
Uretrocistoskopia u realizua nga specialisti i Urologjisë, pranë Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri, dr. Skender Hoxha, dhe instrumentarja, znj. Valbona Pllana.
“Menaxhmenti i Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri, në mbështetje edhe nga SHSKUK, do të nisë shërbimet operative urologjike në tërësi, të cilat do të mbikëqyren dhe organizohen nga specialistët urologë dr. Skender Hoxha dhe dr. Jeton Islamaj.
Fillimisht, në sallën operative të Urologjisë u realizua uretrocistoskopia, si metodë diagnostike, përmes së cilës mund të konstatohen ndryshimet në traktin e poshtëm urinar.
Përmes kësaj metode, e cila ka nisur që nga sot të aplikohet në Spitalin “Sheikh Zayed”, mund të diagnostikohen me kohë tumoret e fshikëzës urinare, ngushticat e uretrës, gurët në fshikëz dhe sëmundje të tjera”, thuhet në njoftimin e tyre dërguar mediave. /Gazeta Sinjali/