Një ditë para protestës së paralajmëruar nga bizneset kundër vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur një takim me përfaqësues të odave ekonomike dhe kompanive prodhuese.
Sipas njoftimit zyrtar, takimi u organizua të mërkurën nga Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, me kërkesë të Qeverisë, për të diskutuar sfidat që i presin bizneset pas hyrjes në fuqi të këtij procesi nga 1 qershori.
“Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të qëndrojë pranë prodhuesve në çdo sfidë që rrjedhë nga ky proces”, thuhet në njoftim, ndërsa ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin e biznesit.
“Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin intensiv me bizneset, dhe veçanërisht prodhuesit, për t’i ndihmuar në përballjen me këto sfida”, ka deklaruar ajo.
Si hap i radhës, është paralajmëruar një takim i përbashkët mes furnizuesve të energjisë dhe kompanive që do të kalojnë në tregun e hapur, për të shkëmbyer informacione praktike dhe për të ndihmuar bizneset të bëjnë zgjedhje më të informuara në lidhje me furnizuesit.
Ndërkohë, drejtori i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka njoftuar se që nga takimi i 19 majit, janë zhvilluar komunikime me furnizuesit e licencuar, nga të cilët gjashtë janë aktivë dhe pesë prej tyre kanë ofruar tashmë kontrata për ndërmarrje të ndryshme.
“ZRRE gjithashtu njoftoi se ka pasur rritje të interesimit të kompanive rajonale për të ofruar energji elektrike në Kosovë, dhe si rezultat, numri i kompanive të licensuara për furnizim me energji elektrike është rritur në 21”, thuhet më tej në njoftim.
Përfaqësuesi i KEK-ut, Gramoz Hashani, ka sqaruar edhe çështjen e furnizuesit të mundësisë së fundit për kompanitë që nuk arrijnë të nënshkruajnë kontrata me kohë.
“Ai njoftoi pjesëmarrësit se kompanitë të cilat nuk kanë mundur të sigurojnë kontrata të rregullta për furnizim duhet të nënshkruajnë kontratë me KEK-un për të përfituar nga kjo mundësi që ua ofron legjislacioni”, thuhet në njoftim.
Bizneset kanë paralajmëruar protestë për të enjten, më 29 maj, nga ora 10:00 deri në 12:00, duke bllokuar përkohësisht tri nga hyrjet kryesore të Prishtinës: nga Veterniku, Fushë-Kosova dhe Podujeva. Protesta është organizuar në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të ZRRE-së që detyron ndërmarrjet me mbi 50 punëtorë dhe qarkullim mbi 100 milionë euro të dalin në tregun e hapur dhe të furnizohen me rrymë me çmime të parregulluara nga rregullatori.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!