COVID-19

Të infektuar

1070

Të shëruar

841

Të vdekur

30

Pandemia/ Në Mekë vendoset shtetrrethim për t’u mbrojtur nga koronavirusi

news image

Teksa bota islame përgatitet të kremtojë të dielën Fiter Bajramin që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit, shumë prej besimtarëve e gjejnë veten të bllokuar prej masave shtrënguese, të marra me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit që ka pushtuar botën.

Autoritetet në Lindjen e Mesme dhe vendet me shumicë myslimane i kanë shtrirë kufizimet edhe në ditën e festës, në përpjekje për të penguar një hov të sëmundjes.

Fiter Bajrami është një moment gëzimi për besimtarët myslimanë, i shënjuar tradicionalisht nga grumbullime të mëdha, vakte të përbashkëta me miqtë e familjen dhe shkëmbime dhuratash, ndaj festimet këtë vit në kushte të tilla, përbëjnë një moment të vështirë për besimtarët.

Në Arabinë Saudite, autoritetet njoftuan se një shtetrrethim 24 orësh do të hyjë në fuqi në 23 maj, kur pritet të fillojë dhe Fiter Bajrami. Ai është parashikuar të mbetet në fuqi deri në 27 maj, kur është edhe dita e fundit e kremtimeve.

Myftiu i madh saudit, sheiku Abdulaziz al-Sheikh këshilloi që lutjet e kësaj dite, njerëzit t`i kryejnë nga shtëpia, duke sqaruar se në kushte të jashtëzakonshme, diçka e tillë është e lejueshme.

Këshilla të ngjashme janë dhënë edhe në Egjipt, e në Turqi gjithashtu, presidenti Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se vendi do të mbyllet përgjatë Fiter Bajrami, me shpresën që më vonë, masa te tilla nuk do të nevojiten më. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin