Nga 1 deri me 31 tetor në Serbi është realizuar procesi i regjistrimit të popullsisë, ku sipas të dhënave jo zyrtare në Luginën e Preshevës llogaritet të jenë 96 mijë qytetarë shqiptarë. Deri sa priten edhe të dhënat në komunat gjetiu në Serbi, raporton Gazeta Sinjali.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptarë në Serbi Ragmi Mustafi, tha për Gazetën Sinjali, se procesi i regjistrimit të popullsisë në Luginë është përmbyllur me sukses.
“Rreth 100 mijë shqiptarë janë dëshmia më e mirë kundër diskriminimit e pasivizimit të adresave”, tha Mustafi.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi e ka vlerësuar me peshë të madhe procesin e regjistrimit të popullsisë.
“Në Luginë kemi peshë aq sa jemi. E jemi shumicë. Prandaj dëshmuam se jemi në krye të kësaj përgjegjësi kombëtare”, ka theksuar deputeti Kamberi për Sinjalin.
Ndërsa kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi, tha se ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë dhe amvisërive, ku shqiptarët për herë të parë pas regjistrimit të vitit 2001 iu përgjigjen thirrjes për regjistrim.
“Vendimi për të dalë në këtë regjistrim nuk ishte i lehtë, pas bojkotit të vitit 2011, por në fund doli të jetë i drejtë. I drejtë, sepse demantuam shifrat e regjistrimit 2011, ku shqiptarët llogariteshin rreth 5.800 shqiptarë në gjithë Serbinë. Tanimë duket qartë se numri i shqiptarëve është rreth 100.000”, tha Arifi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi, tha për Gazetën Sinjali se ishin bashkë për të përmbushur obligimin kombëtar të kohës.
Sipas tij në Luginën e Preshevës janë rreth 100 mijë shqiptarë.
Në bazë të dhënave jo zyrtare të siguruara nga Gazeta Sinjali, në Komunën e Preshevës janë regjistruar gjithsej 59 mijë e 24 qytetarë, prej të cilëve 57 mijë jetojnë në vendbanimet shqiptare, ndërsa 649 në zonat jo shqiptare. Në vendbanimet e përziera përfshirë edhe qytetin Preshevës vlerësohet të jenë rreth 1.372 qytetar jo shqiptar.
Sipas të dhënave në Komunën e Bujanocit janë regjistruar gjithsej 54 mijë e 498 qytetarë, prej të cilëve 30 mijë e 712 jetojnë në vendbanimet shqiptare ndërsa 7 mijë e 632 në zonat jo shqiptare. Në vendbanimet e përziera përfshirë edhe në qytetin e Bujanocit janë regjistruar 15 mijë e 12 qytetarë llogaritet rreth 6 mijë shqiptar.
Në bazë të të dhënave në Komunën e Medvegjës janë regjistruar gjithsej 8 mijë e 594 qytetarë, prej të cilëve 1 mijë e 247 jetojnë në vendbanimet ku jetojnë vetëm shqiptarë, ndërsa 2 mijë e 522 në zonat jo shqiptare. Në vendbanimet e përziera përfshirë edhe qytetin e Medvegjës janë regjistruar 4 mijë e 825 qytetarë dhe llogaritet jenë rreth 1mijë e 400 shqiptar.