image Në Kosovë pak persona të infektuar, pak të vaksinuar

Shëndetësi

Në Kosovë pak persona të infektuar, pak të vaksinuar

news image

Javën e fundit është ulur numri i personave të infektuar me koronavirus në Kosovë dhe në të njëjtën periudhë ka rënë edhe interesimi i qytetarëve për vaksinim kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

Profesionistët bëjnë thirrje për vaksinim, duke shtuar se ka mundësi që të ndryshojë situata pandemike.

Ditëve të fundit, numri i vaksinave të administruara gjatë një dite ka shkuar deri në 7,000, derisa para një muaji ky numër shkonte në mbi 20,000.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se interesimi për vaksinim ka rënë pas qetësimit të situatës me COVID-19 dhe rënies së numrit të viktimave.

“Te çdo kategori ka persona që hezitojnë të vaksinohen, por për fat të mirë, numri i atyre që kanë treguar interesim për vaksinim është më i madh dhe tashmë popullata është vaksinuar në shkallë relativisht të mirë”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë.

Për shkak të rënies së interesimit për vaksinim është ndërprerë edhe dhënia e tyre gjatë vikendeve.

Kosova, gjatë javës së kaluar (nga 18-24 tetor) ka regjistruar 95 raste dhe një viktimë me koronavirus, kurse vlerësohet se deri më tani në Kosovë është vaksinuar rreth 39 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Fahredin Krasniqi, punonjës në një nga kompanitë publike, thotë se nuk është vaksinuar për shkak se e ka kaluar virusin.

“Tash të shoh, kur kam kohë të lirë do të shkoj të vaksinohem. Virusi ekziston ende, por këta ndoshta për shkak të fushatës zgjedhore i kanë zvogëluar numrat e personave të infektuar”, thekson ai.

Kurse Arlindi, student nga Prishtina, thotë se ende nuk është bindur se a duhet të vaksinohet.

Kam lexuar në shumë media në Kosovë dhe atyre jashtë, që janë kundër vaksinimit dhe kjo po më frikëson, kam dyshime”, tha Arlindi për REL.

Ramadani: Mund të ketë rritje të rasteve me COVID-19

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, e konsideron shqetësues rritjen e hezitimit të qytetarëve për vaksinim, sidomos te të rinjtë. Ai thotë se qytetarët nuk duhet të kenë frikë nga efektet e vaksinimit, por nga ndikimi i sëmundjes.

Pas lehtësimit të masave nga Qeveria e Kosovës, dhe fillimit të procesit mësimor në institucionet universitare dhe para-universitare, Ramadani thotë se ekziston rreziku i përhapjes së infektimit dhe e vetmja rrugë e shkurtër për t’u mbrojtur është vaksinimi.

“Është e mundshme që në javët e ardhshme të ketë një rritje të numrit të të infektuarve, mund të jetë një valë tjetër, pasi nuk e kemi krijuar imunitetin e tufës, imunitet ky që do ishte mbrojtësi. Të rinjtë, nga 16 deri në 25 vjeç, në disa raste po harrojnë se ekziston virusi, është pandemia, mund të paraqitet infeksioni dhe mund të rrezikohet jeta e tyre”, tha ai.

“Kërkesa e dëshmisë rrit interesimin për vaksinim”

Për të rritur interesimin e qytetarëve të Kosovës për vaksinim, Ramadani thekson se autoritetet kompetente duhet të zbatojnë masat në fuqi, posaçërisht kërkesën për dëshmi të vaksinimit gjatë hyrjes në institucione publike dhe private.

Dëshmia e certifikatës së vaksinimit apo testeve negative për koronavirus, sipas masave në fuqi, duhet të kërkohet për hyrje në institucione shtetërore e private, në restorante apo bare, institucione arsimore dhe gjatë hyrjes në shtetin e Kosovës.

“Kjo është metodë shumë e mirë që mund të kufizojë qarkullimin e çdo personi dhe të dihet se jemi në pandemi dhe ekzistojnë masa parandaluese. Nëse institucionet publike dhe private nuk zbatojnë këto masa, është gabim shumë i madh”, thekson ai.

Në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ka shqiptuar 368 gjoba për mosrespektim të masave që janë në fuqi për parandalimin e COVID-19.

Me qëllim të rritjes së nivelit të vaksinimit, Ministria e Shëndetësisë, përmes ekipeve mobile, më 22 tetor ka nisur vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19 në sheshin e Prishtinës.

Një praktikë e këtillë do të fillojë së shpejti edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Rreth 39 për qind e popullsisë është vaksinuar në Kosovë

Në Kosovë nga muaji mars i vitit 2021, kur ka filluar procesi i imunizimit, deri më tani, janë administruar mbi 1.5 milion doza të vaksinës.

Prej tyre, rreth 700 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat kundër koronavirusit, kurse mbi 137 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e parë.

Kosova ka rreth 1.8 milion banorë dhe nëse llogaritet numri i të vaksinuarave me të dyja dozat, atëherë rezulton se në Kosovë është imunizuar plotësisht rreth 39 për qind e popullsisë.

Kjo shifër, sipas infektologut Ramadani, është shumë e vogël.

Ai thekson se imuniteti i tufës ndaj koronavirusit do të arrihet pasi të vaksinohet 70 për qind e popullatës.

Në Planin Shtetëror të Imunizimit dhe në programin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, është paraparë se deri në fund të këtij viti të vaksionohet 60 për qind e popullatës.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se është duke u përgatitur një fushatë e re për nxitjen e vaksinimit./GazetaSinjali/