image Në Kosovë ligjërojnë profesorë që kanë kryer doktoratën në Indi, Afganistan e Kore

Kosovë

Arsim/ Në Kosovë ligjërojnë profesorë që kanë kryer doktoratën në Indi, Afganistan e Kore

news image

Nuk kanë qenë të rralla rastet kur profesorët e Universteteve Publike kanë publikuar punimet e tyre në “revista shkencore” të Indisë dhe kjo u ka shërbyer për t’u avancuar në grada akademike.

Siç duket disa prej tyre kanë zgjedhur po këto vende për t’i përfunduar edhe studimet e doktoraturës, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas të dhënave të Agjensisë së Akreditimit, në Universitetet e Kosovës ligjërojnë profesorë të cilët studimet e doktoraturës i kanë përfunduar në Indi, Afganistan e Kore.

Gazeta Sinjali ka siguruar të dhëna zyrtare në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, ku sipas këtyre të dhënave rezulton se një profesor i ka përfunduar studimet e doktoratës në Indi, një tjetër në Afganistan, kurse dy profesorë i kanë përfunduar këto studime në Kore.

Pjesa më e madhe e profesorëve studimet e doktoratës i kanë kryer në Kosovë rreth 92.3% ose 4074 persona. Ndërsa, pjesa tjetër kryesisht kanë zgjedhur Shqipërinë si dhe Maqedoninë e Veriut.

140 profesorë i kanë kryer studimet në Shqipëri, ndërsa 112 në Maqedoninë e Veriut. Në Serbi dhe Mal të Zi janë 18 profesorë që i kanë përfunduar studimet e doktoratës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 16 persona, ndërsa 12 në Turqi.

Ndërsa, një numër i vogël i profesorëve studimet e tyre i kanë përfunduar në shtetet Evropiane si: Holandë (8), Gjermani (7), Itali (6), Austri (5), etj.

Këto të dhëna janë siguruar nga Agjencia e Akreditimit, e cila i obligon për çdo vit të gjitha universitetet private dhe publike t’i bëjnë deklarimet e stafit akademik. Kjo agjenci para disa muajsh kishte vendosur të mos i akreditojë tri universitete publike në Kosovë dhe katër kolegje. Pra, sivjet asnjë student s’është pranuar në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë. /Gazeta Sinjali/