image Në kohën kur sulmet terroriste po rriten, Policia çarmatos njësitë speciale - ua merr nga një revole

Siguri

Në kohën kur sulmet terroriste po rriten, Policia çarmatos njësitë speciale – ua merr nga një revole

news image

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës që e luftojnë krimin gjithandej vendit dhe e mbrojnë sovranitetin e vendit kanë marrë së fundmi një vendim që ka të bëjë me armët, me të cilat në periudha të ndryshme kohore janë furnizuar – por tashmë po kërkohet dorëzimi i tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Policia ka marrë vendim që njësitë speciale që janë pajisur me nga një pistoletë shtesë të tipit Glock 17, krahas armës bazë Glock 19 – këtë të fundit ta dorëzojnë.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se është nxjerrë një analizë për përdorimin e pajisjeve – mbi bazën e të cilës kanë ardhur në këtë përfundim.

Rrjedhimisht, armën Glock 17 e cila konsiderohet si armë e njësisë do ta mbajnë, ndërsa armën Glock 19 e cila është arma fillestare dhe e evidentuar në ID të Policisë është kërkuar të dorëzohet.

“Pas një analize të nevojave operacionale dhe për të optimizuar përdorimin e pajisjeve, është marrë vendimi që të gjithë operatorët duhet të dorëzojnë pistoletën Glock 19. Përjashtimet nga ky vendim do të bëhen vetëm në raste specifike, të cilat duhet të mbështeten me një kërkesë të argumentuar dhe një arsyetim operacional, dhe të miratohen nga Drejtori i Drejtorisë përkatëse.” – thuhet në vendimin që e ka parë Sinjali.

Bazuar në këto informacione, është caktuar  data 17 janar, si afat i fundit deri kur është kërkuar që të përfundojë ky proces dhe të bëhet dorëzimi i armëve në Njësinë e Armëve.

Arsyetimi për këtë vendim akoma nuk dihet, ndërsa Sinjali ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës.

Posa të ketë një konfirmim zyrtar nga PK, Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar.

/GazetaSinjali/