Fillimi i sezonit turistik i gjen Alpet e Shqipërisë plot me vizitorë nga e gjithë bota. Në të vërtetë pjesa lindore dhe qendrore e Alpeve frekuentohen gjatë gjithë vitit, por krejt ndryshe ndodh me pjesën perëndimore – Kelmendin.
Me traditë modeste në turizëm, zona që iu shtua së fundmi Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” është ndër më të ruajturat brenda tij në të gjitha aspektet, e veçanërisht në trashëgimi kulturore dhe natyrore. Duke mos qenë pjesë e itinerareve të mbingarkuar turistikë të dekadës së fundit, Kelmendi konsiderohet i virgjër në raport me pjesën tjetër të Parkut, pa përmendur Gashin me status Rezervë Strikte Natyrore.
Mikpritja, fisnikëria dhe pastërtia e Kelmendit është veçuar gjithmonë nga pjesa tjetër e Alpeve. E po ndryshe nga pjesa tjetër e Alpeve, Kelmendi u ofron vizitorëve një kuzhinë ende autoktone dhe të pasur me përbërës krejtësisht natyrorë të kultivuar nga vendasit. Ky stil jetese i malësorëve që jetojnë në Kelmend përgjatë gjithë vitit, i lidhur ende me blegtorinë dhe bujqësinë, është gjithashtu një vlerë unike e zonës, që së bashku me peizazhin natyror dhe atë kulturor, ofrojnë përvoja të paharrueshme për vizitorët.
Ndonëse deri tani Kelmendi ka vetëm 3 Monumente Natyre në Park, në të vërtetë zona ka pasuri mahnitëse natyrore, si bjeshkët e Surtës, Dobraçes, Jelicës, Goljupit, Berizhdolit, Pajës, Koprishtit, Grebenit, Jeshnicës, e Seferçës, si dhe një numër jashtëzakonisht të madh shpellash të ekploruara vitet e fundit, sidomos në masivin e Shkëmbejve të James.
Ndonëse deri më tash zona nuk ka asnjë Monument Kulture në Park, në të vërtetë Kelmendi është hapësira e fundit që po mban gjallë një pasuri të UNESCO-s: Xhubletën, si dhe një sërë ndërtimesh komplekse prej guri (shtëpi, mullinj, rrugica me kalldrëm, tarraca etj.), të ruajtura prej më shumë se një shekulli. Vetëm në Kelmend vizitorët mund të sodisin nga afër veshjen krenare të Alpeve – Xhubletën – në “Logun e Bjeshkëve” çdo mesgusht, si dhe të ndjejnë pranë çdo shtëpie prej guri, aromën e tokës punuar me dashuri dhe të deleve që kullosin shpateve malore.
Ndërsa në Luginën e Valbonës dhe në Luginën e Shalës presioni në rritje i turizmit e ka shpërbërë peizazhin alpin duke bërë që atë ta mbizotërojnë ndërtimet jogjithmonë tradicionale, Kelmendi është ende një parajsë për adhuruesit e natyrës, si dhe për këdo që di të vlerësojë banesat dhe elementë të tjerë tipikë të peizazhit kulturor.
Vizitorët vijnë edhe për njerëzit
Që në fillimet e padatuara, turizmi është kuptuar si nevojë e njeriut për të njohur vende dhe njerëz të rinj, për të përjetuar përvoja që mundësohen nga territore dhe kultura të ndryshme nga mjedisi ku ai jeton. Si i tillë, turizmi nuk mund të kuptohet pa ndërveprimin njerëzor, bazat e të cilit mund të konsiderohen qendrat e informacionit turistik, ku vizitorët njihen në mënyrë të shpejtë dhe intensive me zonën që po frekuentojnë. Madje edhe kur vizitojnë kopshtet zoologjike, njerëzit përpiqen të interaktojnë me banorët vendas – që në këtë rast janë kafshët e burgosura nga egoja njerëzore.
Prandaj do të duhej që informacioni i ofruar në Qendrat e Vizitorëve të përfshijë patjetër edhe elementin njerëzor. Në këtë kontekst, pavarësisht informacionit në gjuhë të huaj (kryesisht anglisht dhe gjermanisht), që shpeshherë është i papërditësuar i njëanshëm dhe i fokusuar vetëm te natyra, qendrat e vizitorëve të Valbonës dhe të Thethit ofrojnë informacion për këto dy ish-parqe kombëtare, por jo për Parkun e saposhpallur Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” si një i tërë.
Përveç vizitorëve, mungesën e informacionit për Parkun si të tillë e vuajnë edhe aktorët e përfshirë në një mënyrë a në një tjetër me mbarëvajtjen, administrimin apo promovimin e Parkut, dhe sigurisht, vetë banorët. Pikërisht për të kontribuuar sadopak në plotësimin e këtij boshllëku, Organizata GO2 realizoi në vjeshtën e vitit të kaluar një set tabelash informative, të cilat u vendosën në 3 akset rrugore që hyjnë në Parkun Kombëtar të Alpeve: pranë urës së re të lagjes Muriq të Vuklit, në vendin e quajtur Fushë-Lojë të Selcës, si dhe në pikën e kalimit kufitar Vermosh-Guci. Pas tabelave në Kelmend, e njëjta skuadër që në vitin 2018 hartoi kodin e dizajnit “Trashëgimia Ndërtimore në Theth” dhe ngriti Qendrën e Vizitorëve Theth, ndërmori një nisëm edhe më të mundimshme pune kërkimore – dhe në terren për realizimin e një platforme informimi të quajtur “Libri i Alpeve Shqiptare”.
3 kënde informacioni për turistët në Kelmend
Për herë të parë që nga përfshirja në Parkun Kombëtar të Alpeve dy vjet e gjysëm më parë, fillimi i sezonit të ri turistik e gjen Kelmendin me një rrjet këndesh informacioni për vizitorët. Të ngritura në 3 bujtina në fshatrat Nikç, Lëpushë dhe Vermosh, këto kënde informacioni turistik paraqiten në formën e koshit të drithit (koshar, koçek, kotec) – një element i arkitekturës rurale thuajse i zhdukur në vendin tonë.
Të ndërtuar me material druri sipas metodës tradicionale, këto kosha mbajnë brenda një strukturë vertikale në formën e librit në format 70×100 cm, në 12 faqet e të cilit është vendosur informacion i zgjedhur për natyrën dhe njerëzit e Alpeve. Sikurse hartat, edhe informacioni vjen nga shkalla makro e të gjithë Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, duke u fokusuar në Malësinë e Madhe brenda territorit të Parkut, në Njësinë Administrative Kelmend, e më tej, në fshatrat respektivë e në fund, në të dhëna të detajuara për bujtinat mikpritëse ku këto kënde informacioni janë vendosur. Të ofruara në shqip dhe anglisht, shkrimet e platformës e “Libri i Alpeve Shqiptare” (‘Book of Albanian Alps’) ofrojnë informacion të gjithanshëm për gjeografinë, mjedisin, florën dhe faunën, monumentet e natyrës dhe të kulturës, historinë, si dhe veçoritë e tjera të territorit të Parkut më të madh Kombëtar në Shqipëri, Zonë e Mbrojtur e Kategorisë II të IUCN.
Nga pikëpamja përmbajtësore, librat synojnë një barazpeshë të informacionit për natyrën dhe njeriun, duke përfshirë aspekte të shumta të trashëgimisë natyrore dhe njerëzore të Alpeve në përgjithësi dhe të Kelmendit në veçanti. Në total, secili libër përmban 3 harta të detajuara në GIS me kooordinata të sakta të një sërë elementësh të terrenit me simbole topografike, që nga majat e maleve, qafat, shpellat, luginat, lumejtë, përrejtë, rrugët, shtigjet, bjeshkët, stanet, vendbanimet, banesat, ndërtesat publike si shkollat, kishat, mullinjtë dhe veçanërisht qendrat shëndetësore dhe ambulancat etj. Secili libër është pasuruar gjithashtu me hartën e parë të njohur, në të cilën janë shënuar vendbanimet e Kelmendit: ajo i përket vitit 1689 dhe është përpiluar nga hartografi italian Giacomo Cantelli.
Në këtë hartë të Shqipërisë së fundit të shekullit XVII, përveçse si krahinë, Kelmendi shënohet me disa vendbanime, si Muracci, Vkali, Nicaci etj., që aktualisht përkojnë me Muriqin (lagje e Vuklit), fshatin Vukël dhe fshatin Nikç. Secili libër përmban gjithashtu rreth 20 foto të ndryshme të fshatit ku është vendosur, e që fiksojnë peizazhe natyrore dhe kulturore, lloje të florës dhe faunës, monumente natyre, jetën e përditshme të banorëve vendas etj. Aspekti grafik i librave plotësohet edhe me rreth 15 skica dhe vizatime që paraqesin simbolikën mistike të malësorëve, peizazhe natyrore, skena të elementëve të biodiversitetit, si dhe të trashëgimisë së pasur kulturore materiale e jomateriale të zonës. Në këtë mënyrë, këto kënde informacioni janë ideuar dhe realizuar që t’u shërbejnë vizitorëve 24 orë në ditë, 7 ditët e javës.
Pasi e kanë zbukuruar peizazhin kulturor të Nikçit, Lëpushës dhe Vermoshit dhe ansamblin arkitekturor të bujtinave mikpritëse “Gjon Turkaj”, “Tomë Dragu” dhe “Peraj”, librat e Alpeve janë vendosur me koordinata të sakta në Google Map (https://www.google.com/maps/search/Book+of+Albanian+Alps/@42.5502626,19.7424959,11z?entry=ttu), si dhe janë ngarkuar në platforma elektronike për t’u shfletuar online në të gjithë botën.
Pjesë të zgjedhura nga “Libri i Alpeve Shqiptare”
Gjeografikisht, etnografikisht dhe historikisht Alpet Shqiptare përfaqësojnë rajonin më madhështor të Shqipërisë. Ata janë vendi i miteve dhe i legjendave, i Këngëve të Kreshnikëve dhe i Kanunit të Lekë Dukagjinit, i trimave që nisen për luftë me kângë mâjekrahu e nderohen me gjâmë burrash, i besës dhe i burrneshave. Alpet janë origjina dhe territori i disa prej 10 fiseve të paepura të Gegnisë të shpërndarë përgjatë historisë që nga Danubi e deri në Egje, e që nga Apeninet deri përtej Atlantikut. Ata janë vendi i burrave kokëshkretë me plisa të bardhë e armë në dorë dhe i grave shtatzëna me xhubletën fisnike dhe djepin mbi shpinë. Alpet janë zemra dhe simboli i luftës së përjetshme të njeriut për të jetuar i lirë.
Një herë e një kohë: Historiku i Kelmendit
Lëvizjet masive të popullsive për shkak të luftërave që ende vazhdojnë kanë përcaktuar fatin kolektiv të njerëzve në të gjithë botën – si dhe të malësorëve në luginat e Alpeve Shqiptare. Që prej pushtimit të parë romak të Ilirisë në vitin 229 PK, dyndjes sllave në shekujt VI-VII, shkatërrimeve të Kryqëzatës së Parë, shpërbërjes së perandorisë bullgare në shekullin XI, si dhe mbretërisë serbe të shekullit XIV, fiset malësore janë zhvendosur nga ultësirat drejt maleve, për t’u kthyer prapë në fusha e prapë në male. Gjetjet arkeologjike të kohëve të fundit në luginën ngjitur me Cemin – Luginën e Shalës – mund të ndihmojnë në të kuptuarit e migrimeve të popullsisë përgjatë historisë edhe në lartësitë e Alpeve Perëndimore dhe veçanërisht të Kelmendit.
Përtej gojëdhanave për origjinën dhe themelimin, Kelmendi përmendet së pari në shek. VI nga Prokopi i Çezaresë, si kështjella Κλ’έµadeς e restauruar nga Justiniani I në Epirin e Ri, sikurse njihej kjo pjesë e Ballkanit në atë kohë. Disa shekuj pas dyndjes sllave që shkatërroi Ilirinë, Kelmendi merr pjesë në Betejën e Kosovës (1389), ndërsa 100 vjet më vonë shfaqet në regjistrat osmanë si krahinë e konsoliduar (nahije) me 5 vendbanime të krishtera. Muriqi është ndër toponimet e ruajtura nga ajo kohë, ndërsa disa të tjera kanë ndryshuar bashkë me vetë vendbanimet. 5 të tilla shënohen në hartën e vitit 1689, por në hartat e mëvonshme ato ndryshojnë vazhdimisht. Shkathtësia e manovrimit në terrenin e thyer u dha kelmendasve famën e mosnënshtrimit ndaj Perandorisë Osmane, me të cilën u përballën në të paktën 2 luftëra të mëdha vetëm gjatë shekullit XVII.
Të kësaj periudhe janë ngujimet e vendasve në kështjellën natyrore Forca e Kelmendit, si dhe legjenda e Norës që refuzoi martesën me pashain turk. Për t’u shpëtuar ekspeditave të vazhdueshme ndëshkimore nga osmanët, mijëra kelmendas u shpërngulën në vendbanime të shumta që nga Kosova e deri në brigjet e Danubit. Kisha e parë, rrënojat e së cilës shihen ende pranë Burimeve të Vuklit, u ndërtua më 1651, pas kthimit nga internimi të atyre që për gati dy shekuj konsideroheshin si fisi më i fortë në zonë. Në mes të shek. XIX rreth 10 familje kelmendase u shndërruan në myslimanë. Mbijetesa e varur nga toka e pakët dhe kullotat e bagëtive ishte shkaku i përplasjeve mes fiseve dhe grupeve etnike në këtë zonë, duke sjellë shkatërrim dhe djegie të vendbanimeve.
Të gjendur mes dy frontesh, kelmendasit përballuan kryengritjen e përgjakshme antiosmane të Malësisë e menjëherë edhe pretendimet e fqinjve malazezë për kullotat alpine. Vetëm gjatë shekullit XX, fshatrat e Kelmendit, përfshi shtëpi dhe kisha u plaçkitën, u dogjën e u shkatërruan më shumë se 3 herë: më 1911 nga osmanët, më 1914 dhe 1925 nga malazezët dhe më 1945 nga komunistët shqiptarë. Megjithatë, 20 vjet pas vendosjes së regjimit totalitar në Shqipëri, Kelmendi përjetoi shndërrime të rëndësishme, të cilat filluan me ngritjen e një sistemi shëndetësor, arsimor e kulturor.
Investimet që ndryshuan përgjithmonë jetën e kelmendasve historikisht të izoluar, ishin hapja e rrugës së Malësisë dhe elektrifikimi i plotë i fshatrave – dy aksione që përfunduan në vjeshtën e 1968-s. Për t’u shërbyer afro 7000 banorëve u ndërtuan 15 shkolla, rreth 10 spitale dhe qendra shëndetësore, disa qendra kulturore e njësi tregëtare, një rrjet rrugësh të brendshme dhe pyjore prej afro 180 km, ura, komplekse blegtorale etj. Madje zonat më piktoreske si Lëpusha e ndonjë tjetër u zgjodhën si sheshxhirim i mjaft filmave artistikë të kohës. Heqja dorë e shtetit nga kujdesi për qytetarët e vet pas viteve 1990 u shoqërua me demotivimin e njerëzve për të jetuar në male. Përkundër disa investimeve në infrastrukturë të cilat mundësuan lindjen e një turizmi ende të brishtë në Kelmend, një pjesë e banorëve vazhdojnë të kërkojnë jetë më të mirë jashtë vendit, por shumica e vendasve të mbetur vazhdojnë mënyrën tradicionale të jetesës, të lidhur kryesisht me blegtorinë dhe bujqësinë. E ndërsa burrat kanë ruajtur shtëpitë e gurta të kthyera në bujtina, gratë e Kelmendit përpiqen të ruajnë veshjen unike të Alpeve: Xhubletën.
Qindra shpella në Alpe
Përgjatë 3 dekadave të fundit, ekspedita të ndryshme speleologjike bullgare, italiane, çeke, hungareze, polake, britanike etj., kanë zbuluar dhe eksploruar mbi 100 shpella vetëm në zonën e Kelmendit, e gati po aq në Luginën e Valbonës, ndërsa numri i përgjithshëm i shpellave të reja në PK “Alpet e Shqipërisë” të eksploruara deri në vitin 2023 është rreth 250, pjesa dërrmuese e të cilave janë vertikale. Përqëndrimi më i madh i tyre është në Shkëmbinjtë e James, nga Maja e Langojve deri në Majën e Arapit, masivi i Bridashes dhe përreth masivit të Gjarpnit në Çerem.
Shqipëria dhe planeti
Shqipëria zë 0.02% të sipërfaqes së planetit, por strehon 0.14% të biodiversitetit të Tokës. Në Shqipëri gjenden mbi 12671 lloje të botës së gjallë, nga të cilat 7233 janë bimore, ose 14% e florës euroaziatike, 32% e florës europiane, 24% e florës mesdhetare dhe 22% florës ballkanike.
/Irhan Jubica – GO2 Albania/