Ka rreth dy muaj që në institucionet publike shëndetësore mungon insulina. Pacientët thonë se po i blejnë vetë këto ilaçe, ndonëse të njëjtat janë në listë esenciale dhe do duhej të jepen falas për pacientë.
Diabeti, konsiderohet si sëmundje kronike që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak, si pasojë e çrregullimit të prodhimit të insulinës në organizëm.
Megjithëkëtë në institucione publike shëndetësore në Kosovë ka rreth dy muaj që ka mungesë të insulinës. Insulina jepet falas për pacientët, në shërbimin dytësore, pra në Qendra të Mjekësisë Familjare por edhe në atë terciar, apo në Qendrën Klinike Universitare.
Ndonëse nuk ka statistika të sakta të raportuar, janë më shumë se 13 mijë persona që vuajnë nga kjo sëmundje në Kosovë.
Yllnora Demaj, e cila punon në barnatore shtetërore në Pejë e që aty insulina shpërndahet falas për pacientë, tha për televizionin publik se ka mungesë të insulinës.
“Ka mungesë të insulinës. Pacientët po detyrohen t’i blejnë, sepse ne po i kthejmë. Disa kanë ndoshta pak rezerva që i marrin këtu, por ka kohë tashmë që po mungon insulina, dhe u është shpenzuar“, tha ajo.
Ndërkaq Lena Mahmuti, e cila vuan nga sëmundja e diabetit, tha se ka disa javë që provon të marrë llojin e insulinës me emrin ‘’Novorapid’’ në barnatore qendrore të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, por nuk ka.
“Po, qe disa javë shkoj vetëm ta provoj nëse ka insulinë, por jo. Ende nuk janë furnizuar. Më kanë thënë që më lajmërojnë kur furnizohen, dhe ua kam dhënë edhe numrin e telefonit tim që të mos vij kot. Ndryshe unë jam duke i blerë insulinat, sepse nuk mund të jetoj pa to”, tha ajo.
Diabeti tipi 1, konsiderohet më problematik dhe numri i pacientëve që vuajnë nga ky tip i sëmundjes, është rreth 10 për qind e numrit total të të sëmurëve me diabet, si dhe është fazë më e avancuar krahasuar me tipat e tjerë të kësaj sëmundjeje.
Ndërkaq nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se në botë janë më shumë se 400 milionë persona të prekur nga diabeti. Në shtetet e varfra kjo sëmundje është më shumë e pranishme.
Sëmundja e sheqerit prek edhe fëmijët. Aktualisht, në Kosovë nuk ka statistika të sakta as për fëmijët që vuajnë nga diabeti. Por, profesionistët shëndetësorë thonë se numri i tyre është çdo vit në rritje.