Autobusë të mbushur me refugjatë kanë nisur të largohen nga qyteti i rrethuar lindor i Ukrainës, Sumi.
Guvernatori rajonal, Dmitro Zhivitskiy, tha se autobusët e parë nga Sumi, që ndodhet vetëm 50 kilometra larg kufirit me Rusinë, janë nisur për në qytetin qendror të Ukrainës, Poltava.
Sot, autoritetet ruse dhe ukrainase u pajtuan për hapjen e disa korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve, shkruan REL.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se korridoret u hapën nga Kievi, Çernihivi, Sumi, Harkivi dhe Mariupoli, nga ku pritet të ikin rreth 200,000 njerëz.
Por, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se korridori humanitar në Mariupol është sulmuar nga forcat ruse.
“Armiku ka nisur një sulm pikërisht në drejtim të korridorit humanitar”, tha Ministria ukrainase në një postim në Facebook.
Sipas tyre, ushtria ruse “nuk i la fëmijët, gratë dhe të moshuarit të largohen nga qyteti”.
Derisa raportohet për luftime të intensifikuara në disa pjesë të Ukrainës, korrespondentët në terren konfirmojnë se evakuimi i banorëve nga qyteti Irpin, afër Kievit, po vazhdon gjithashtu.