image Në Dibër kryetari do të zgjidhet më 14 nëntor - Sinjali

Në Dibër kryetari do të zgjidhet më 14 nëntor

news image

Edhe pas votimit të sotëm të përsëritur në një vendvotim, qytetarët e Dibrës nuk e zgjodhën kryetarin e ri.

Siç konfirmuan nga shtabet zgjedhore të BDI-së dhe të Aleancës për Shqiptarët – Alternativës, në Dibër do të ketë raund të dytë të votimit më 14 nëntor, pasi pas votimit të përsëritur asnjëri prej kandidatëve nuk e ka siguruar përqindjen e nevojshme të numrit të përgjithshëm të qytetarëve të dalë në votim.

Sipas tyre në votimin e sotëm në vendvotimin 0543 nga gjithsej 777 votues aq sa janë të regjistruar në listën e vetme zgjedhore për kandidatin e BDI-së i mbështetur nga LSDM-ja dhe Koalicioni dhe kryetar aktual, Hekuran Duka, kanë votuar 226 ndërsa për Bekim Pocestën e Aleancës për Shqiptarët – Alternativa i mbështetur nga VMRO-DPME, 293 persona.

Nga numri i përgjithshëm i të regjistruarve me të drejtë vote, këtë të drejtë e kanë realizuar 528 persona ose rreth 68 për qind.

Në këtë vendvotim në raundin e parë kanë votuar 484 ose 62,29 për qind. Për Dukën kanë votuar 195 ndërsa për Pocestën 271 persona, të pavlefshme ishin 16 fletëvotime.

Në këtë vendvotim është rivotuar pasi Gjykata Kushtetuese e pranoi padinë e koalicionit Aleanca për Shqiptarët – Alternativa, ndërsa KSHZ në bazë të kësaj solli vendim për përsëritjen e votimit.

Kjo duke e pasur parasysh atë se numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në këtë vendvotim ndikon mbi rezultatet e përgjithshme të kësaj komune./ TV21

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin