Një person i kërkuar prej vitesh nga organet e drejtësisë ka përfunduar në pranga mëngjesin e së mërkurës në Mitrovicë, pas një aksioni të realizuar nga Policia e Kosovës, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se arrestimi është kryer më 8 korrik, rreth orës 08:40, në zonën e njohur si Tuneli i Parë, në rrugën “Nystret Musa” në Mitrovicë.
Sipas informacioneve, personi i arrestuar ishte në arrati prej shtatë vitesh, ndonëse ndaj tij ekzistonte një vendim i formës së prerë i Gjykatës Themelore në Ferizaj, me të cilin ishte dënuar me 4 vjet e 50 ditë burgim.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë verifikimeve policore është konstatuar se i njëjti figuronte edhe me 10 urdhër-arreste aktive, të lëshuara nga institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Arrestimi është realizuar nga Njësia e Urdhëresave e Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, ndërsa pas përfundimit të procedurave policore, i dënuari është dërguar në qendër të paraburgimit, ku do të nisë vuajtjen e dënimit.
Rasti konsiderohet një nga arrestimet më të rëndësishme të ditëve të fundit, për faktin se i kërkuari kishte arritur t’i shmangej ekzekutimit të vendimit gjyqësor për afro shtatë vjet, pavarësisht ekzistimit të 10 urdhër-arresteve aktive ndaj tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!