image Vlerësohet se ndryshimi i Ligjit për Zonat Ekonomike, s’ofron lehtësira për bizneset

Biznes

Vlerësohet se ndryshimi i Ligjit për Zonat Ekonomike, s’ofron lehtësira për bizneset

news image

Agron Demi, nga Instituti “GAP” ka thënë që e sheh si absurde ndryshimin e ligjit për zonat ekonomike nga qeveria në detyrë.

Ai thotë se ky ligj nuk ka pasur asnjë efekt dhe asnjë përparim për sa i përket zonave ekonomike.

“Qeveria Hoti ka filluar me ndryshmin e ligjit për Zonat ekonomike, me arsyeshmërinë që ligji aktual nuk jep qartësi ligjore sa i përket kompetencave dhe ka mosqartësim edhe sa i përket zonave të lira ekonomike që është një absurd sepse që nga viti 2009 ekziston ligji edhe pse është ndryshuar i tëri në vitin 2013, por baza kryesore ligjore nuk ka ndryshuar çka do të thotë që prej atij viti, e deri më tani kemi pasur ligje”, u shpreh Demi për ekonomiaonline.

Sipas tij, ka pasur edhe praktikë të krijimit të zonave të lira ekonomike e ku institucionet nuk e kanë pasur të qartë as procedurat e as çka po kërkojnë me një ligj të tillë.

Dhe nuk është e befasishme që ky ligj thuajse nuk ka pasur as një efekt sa i përket qëllimeve që janë promovuar me ligj siç është thithja e investimeve, rritja e punësimit, zhvillimi ekonomik”, tha Demi.

Demi thekson që në bazë të numrit të zonave ekonomike dhe bizneseve të vendosura aty, duhet të jetë numri i bizneseve më i madh, dhe vendosja e këtyre bizneseve të natyrave të ndryshme ka prodhuar edhe shumë pengesa më pas.

Në bazë të Ministrisë së Tregtisë janë diku 10 zona ekonomike, të cilat menaxhohen prej kësaj ministrie dhe nuk ka informacione se sa biznese janë në të gjitha këto zona, por në ato zona që vetëm janë publiku informacionet janë diku 76 biznese të vendosura në zona të ndryshme ekonomike”, tha Demi.

Zonat ekonomike janë shumë të nevojshme, thotë Demi, “sepse ju krijohen lehtësira bizneseve por që si pasojë e zvarritjes së punimeve shumë nga bizneset janë largu nga ato zona”.

Ai vlerëson që me ligjin e ri dhe ndryshimet e saj nuk do të ketë favore apo lirime tatimore për ato biznese, dhe kjo e largon iniciativën që ka ekzistuar deri më tani.

 Në anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj në një intervistë për Ekonomia Online, thotë që Kosova edhe pse pretendon të jetë si shtetet e zhvilluara, duhet ta ketë parasysh që tregu vendor nuk mund t’i absorbojë këto zona ekonomike.

Kjo është mese e qartë që Kosova pretendon të jetë në ekonomi të tregut dhe të jetë pjesë e shteteve të cilat funksionojnë në këtë mënyrë, kështu që Kosova e ka në mënyrë të patjetërsueshme funksionimin përmes zonave ekonomike. Por që duhet  të kemi një sqarim për opinionin, se zonat ekonomike duke pasur parasysh që Kosova është një shtet i vogël nuk mund ta absorbojë këtë treg kështu që këto të vetmin rol ekonomik që mund të ndikojnë në rritje ekonomike është përmes distribuimit, në shtetet e rajonit dhe më gjerë, duke i krijuar ato si pika prodhimit ose të referimit për tregti që funksionojnë në gjithë botën, në këtë drejtim është mirë por duhet ta kemi të qartë që tregu vendor nuk mund ti absorbojë këtë fuqi të zonave ekonomike që kështu është pretenduar në shumë qytete të Kosovës që është diçka e mirë, por që Kosova nuk mund ta absorbojë krejt këtë”, tha Kadrijaj.

Tutje ai thotë që është bërë pak në këtë drejtim, por patjetër pa mohuar faktin që Kosova si një shtet i vogël, dhe kostoja që kërkojnë Zonat Ekonomike e vështirëson procesin dhe ndikimi i ndryshimit të qeverive e kompleton krejt këtë vështirësi në këtë proces.

Theks të veçantë Kadrijaj jep edhe tek fokusi i partive politike dhe interesat që kanë në këto zona ekonomike, dhe sipas tij thelbi kryesor duhet të jetë tek interesi ekonomik sesa ai personal./GazetaSinjali/