Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi me qytetarë në Istog, thotë se gjatë qeverisjes së tij ka arritur që ta ndalë dialogun, që sipas tij, ka qenë në drejtim të gabuar dhe me rreziqe për Kosovën.
Haradinaj tha se ka arritur të largojë dialogun nga tavolina e Mogherinit, Thaçit e Vuçiqit dhe atë dialog ta vendos në tavolinë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.
“Është ndal dialogu i zonjës Mogherini, iu ka heq asaj ky dialog i asaj tavoline, edhe z. Thaçi dhe z.Vuçiq, pra ia kam hequr dialogun, jo me e marr unë, po ia kam hequr dialogun e kemi qu në tavolinë të kancelares Merkel dhe të presidentit Macron. Kjo nuk kishte ndodhur pa mirëkuptimin e Amerikës pa përkrahjen e tyre. Pra, nëse dikush ka pasur dilema se a e lejon Kosova ndarjen mendoj që u krye kjo, të gjithë e kanë marrë vesh se në Kosovë nuk mundet me ndodh ndarja”, tha ai.
Ndryshe, raportet mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, janë acaruar kohëve të fundit si pasojë e qëndrimeve rreth idesë për ndryshimin e kufijve. /Gazeta Sinjali/