image Ndryshime drastike në hartën e Europës, plani djallëzor i Putinit pas referendumeve false në Ukrainë

Evropë

Ndryshime drastike në hartën e Europës, plani djallëzor i Putinit pas referendumeve false në Ukrainë

news image

Ndërsa luftimet vazhdojnë ende në Ukrainën Lindore dhe kundërofensiva e Kievit për rajonet e kontrolluara plotësisht ose pjesërisht nga Moska vijon, sot me urdhër të Putinit kanë nisur “referendumet për integrimin” në Rusi në rajonet e Donbasit.

Procesi, i cili filloi në orën 09:00 (me kohën tone lokale) dhe pritet të zgjasë deri më 27 shtator, po zhvillohet në provincat separatiste, pro-ruse të Donetskut dhe Luhanskut (në Ukrainën lindore) si dhe në zonat e kontrolluara nga Rusia në provincat e Khersonit dhe Zaporizhias.

Qëllimi i Rusisë është integrimi i këtyre rajoneve – përmes referendumeve – në Rusi, duke ndryshuar në mënyrë dramatike hartën e rajonit. Kjo i heq ukrainës 20% të territorit. Ukraina dhe Perëndimi i kanë quajtur tashmë “pseudo-referendume” këto zhvillime.

Duke aneksuar 20% të territorit të Ukrainës, Moska tani do të jetë në gjendje të pretendojë se territoret e saj po sulmohen me armë të mundësuara nga NATO dhe vende të tjera perëndimore për Ukrainën.

Modeli rus i referendumeve është i njohur që nga rasti i Krimesë në vitin 2014, aneksimi i së cilës pasoi një referendum të tillë, të cilin komuniteti ndërkombëtar e denoncoi si të paligjshëm dhe të manipuluar. Rusia më pas u përjashtua nga G8 dhe u sanksionua nga shumë vende. Zyrtarët rusë kishin pohuar se 97% e votuesve mbështesin bashkimin me Rusinë.

Luhansk dhe Donetsk më pas shpallën pavarësinë nga Ukraina disa javë pasi Krimea u aneksua, duke shkaktuar tetë vjet konflikt që kulmoi me pushtimin rus në shkurt 2022.

Sot, trupat ruse dhe forcat separatiste lokale kanë marrë nën kontroll pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe rreth 60% të Donetskut. Në rajonet jugore, ku do të mbahen referendumet, ndjenjat anti-ruse janë të forta.

Referendumet po kryhen pa vëzhgues të pavarur me mungesë të plotë transparence se kush po voton dhe në çfarë rrethanash. Udhëheqësit perëndimorë, duke përfshirë presidentin e SHBA Joe Biden, i denoncuan referendumet si të manipuluara dhe thanë se vendet e tyre nuk do t’i njihnin rezultatet.

Kryetari i bashkisë së Luhanskut, Sergey Haidai, më herët në mëngjes në një postim në Telegram pohoi se forcat ruse po i detyrojnë banorët e zonave të kontrolluara nga Rusia të votojnë, ndërsa i ndalojnë ata të largohen nga zona midis 23 dhe 27 shtatorit.

“Sipas informacioneve që kemi, pushtuesit po krijojnë grupe të armatosura për të shkuar nëpër shtëpi dhe për të detyruar njerëzit të marrin pjesë në të ashtuquajturin “referendum”, tha ai.

Referendumet në rajonet Kherson dhe Zaporizhia pyesin: “A jeni pro shkëputjes nga Ukraina, formimit të një shteti të pavarur nga rajoni dhe përfshirjes së tij në Federatën Ruse si pjesë e Federatës Ruse?”.

/GazetaSinjali/