image Ndryshe prej Vuçiqit, Stoltenberg Kurtin e pret pa flamur shtetëror

Kosovë

Ndryshe prej Vuçiqit, Stoltenberg Kurtin e pret pa flamur shtetëror

news image

Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg ka pritur sot në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilët ka mbajtur edhe konferenca për media.

Ajo që është vërejtur është se pritjet zyrtare të dy liderëve kanë qenë të ndryshme nga ana e NATO-s. Përderisa presidenti Vuçiq është pritur me simbolet dhe flamurin shtetëror të Serbisë, në pritjen e Kurtit ka munguar ky trajtim.

Në konferencë, prapa Kurtit ka qëndruar flamuri i NATO-s, sikurse prapa Stoltenbergut, ndërkaq kur në konferencë ka dalë me Vuçiqin, prapa tij ka qëndruar flamuri i Serbisë.

Një trajtim i këtillë i Kosovës nga ana e NATO-s vjen si rrjedhojë e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit OKB-së, në bazë të të cilit shtrin mandatin misioni i KFOR-it në Kosovë.

Gjatë konferencës  së përbashkët me Stoltenberg, Kurti ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë.

“Kemi një vizion të qartë, ne kërkojmë anëtarësim në NATO, dhe kjo do të na mundësojë që të japim atë që vendet anëtare na kanë dhënë ne. Jemi të gatshëm që të kontribuojmë në çdo operacion të NATO-s, me të gjitha kapacitetet tona. Kërcënimet rreziqet dhe sfidat që NATO-ja i përballon sot ndjehen edhe nga vendi jonë. Institucionet kanë arsye të jenë vigjilent në agjendën e dëmshme ruse për Ballkanin dhe Evropën. Qeveria dhe populli i Kosovës e mirëpret besimin dhe përkushtimin tuaj për paqe të qëndrueshme dhe sigurinë”, është shprehur kryeministri Kurti.

Sekretari Stoltenberg në anën tjetër ka ripërsëritur se në rast të rrezikimit të stabilitetit të Kosovës, misioni i KFOR-it është i gatshëm të ndërhyjë. Stoltenberg u kërkoi Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet, pasi siç tha, të gjitha çështjet duhet të zgjidhen përmes dialogut politik.

/GazetaSinjali/