image Ndodh në Malishevë: Denoncon bashkëshortin për dhunë, por më pas kërkon të pajtohet

Siguri

Ndodh në Malishevë: Denoncon bashkëshortin për dhunë, por më pas kërkon të pajtohet

news image

Një tjetër rast i dhunës në familje është paraqitur në Policinë e Malishevës, ku një 18-vjeçare ka raportuar se është përballur me dhunë verbale dhe fizike nga bashkëshorti i saj, por më pas ka deklaruar se dëshiron t’i kthehet jetës së përbashkët me të.

Gazeta Sinjali mëson se dje, në Stacionin Policor në Malishevë është paraqitur Y. B., 18-vjeçe, e cila ka deklaruar se ka qenë viktimë e dhunës bashkëshortore nga burri i saj, Faton Zogaj, 25-vjeçar.

Sipas saj, mosmarrëveshjet verbale kanë qenë të shpeshta dhe në disa raste janë shoqëruar edhe me dhunë fizike.

Pas deklaratës së viktimës, policia ka intervistuar edhe të dyshuarin, i cili ka mohuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, por ka pranuar se kanë pasur konflikte të vazhdueshme për shkak të xhelozisë, duke aluduar në dyshime për tradhti bashkëshortore.

Megjithatë, gjatë intervistimit, të dy palët kanë shprehur dëshirën për pajtim dhe vazhdim të bashkëjetesës, duke kërkuar që t’u jepet hapësirë për t’i rregulluar marrëdhëniet.

Në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është kualifikuar si “Dhunë në familje”, janë ndërmarrë procedurat ligjore për intervistimin e të dyve dhe rasti është kaluar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari është liruar në pritje të hetimeve të mëtejme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit

/GazetaSinjali/