“Manifest” është zgjedhur fjala e vitit 2024 në gjuhën angleze nga Fjalori i Cambridgeit, pasi superylli shqiptar i muzikës, Dua Lipa, dhe gjimnastja Simone Biles e përdorën për të përshkruar mekanizmin drejt suksesit të tyre.
Definicioni tradicional i fjalës, si mbiemër ishte diçka që “vërehej lehtë, ose e dukshme” dhe si emër “për të treguar diçka të qartë përmes shenjave apo veprimeve”.
Pas ndikimit të madh të pop-ylllit, fjala “të manifestosh” ka marrë edhe kuptimin e “të imagjinuarit për arritjen e diçkaje që dëshironi dhe që nëse beson se do ta bësh, kjo e bën më të mundshme”.
Termi, që ka marrë vëmendje të madhe në TikTok dhe rrjete tjera sociale, ishte kërkuar 130 mijë herë në uebfaqen e fjalorit të gjuhës angleze këtë vit. Ekipi ka thënë se kjo e ka bërë “manifest” fjalën më të kërkuar të vitit.
“U përdor gjerësisht në të gjitha mediat gjatë ngjarjeve të vitit 2024 dhe kjo tregon se si kuptimi i një fjale mund të ndryshojë përgjatë kohës”, ka thënë Wendalyn Nichols nga ekipi menaxhues i uebfaqes.
Gjatë një koncerti , Dua Lipa, pati përdorur termin kur kishte folur për arritjen e paraqitjes në festivalin më të madh të botës “Glastonbury”.
Kjo fjalë ka rrënjë nga vitet 1300.