Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përplasje e telashe të shumta mes qytetarëve, të cilat shpesh edhe eskalojnë në kërcënime serioze, të cilat raportohen në organet e rendit, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Prizren, ku një burrë dyshohet se ka uzurpuar një parcelë toke dhe nuk po lejon pronarin e saj të ndërtojë shtëpinë aty.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari bashkë me një person tjetër kanë kanosur seriozisht 67-vjeçarin, ani pse ky i fundit është pajisur me leje ndërtimore për shtëpinë.
Ankuesi është detyruar që rastin ta denoncojë në Polici, ku përpos deklaratës së tij u ka ofruar hetuesve në cilësinë e provave edhe videot ku dëgjohen kërcënimet, dokumentacion lidhur me pronën dhe lejen e ndërtimit të shtëpisë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërkohë që janë arrestuar edhe dy të dyshuarit.
Sinjali mëson se këta të fundit kanë bërë me dije se pronën në fjalë e shfrytëzojnë tash e 20 vite dhe të njëjtit nuk tërhiqen nga fjalët se s’do të lejojnë ndërtimin e shtëpisë nga i moshuari në atë pronë. Po ashtu ata kanë mohuar të kenë kërcënuar ankuesin.
Me urdhër të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme’ dhe ‘Kanosje’.