Ndryshimet e shpeshta në drejtimin e Ministrisë së Arsimit në Maqedoninë e Veriut mbajnë peng realizimin e reformave në arsim, thonë mësimdhënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme.
Që nga viti 2017 kur në pushtet erdhi Lidhja Social Demokrate, në dikasterin e arsimit janë ndërruar katër herë ministrat.
Edhe gjatë qeverisjes së VMRO DPMNE-së brenda shtatë vjetëve paraprake janë ndërruar pesë herë ministrat në Ministrinë e Arsimit.
Ky dikaster, sipas një mesatareje del se në më pak se dy vjet ka pasur një ministër të ri.
Çdo ministër inicion reforma të reja
Samet Jahiu nga Shoqata e Arsimtarëve Shqiptarë thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimi i strategjive se në cilin drejtim do të zhvillohen reformat, e ka vështirësuar në masë të theksuar dhe punën e mësimdhënësve.
Jahiu thotë se asnjë ministër nuk i vazhdon reformat e filluara nga paraardhësi i tij.
“Çdo ministër ka ardhur me reformat e veta që, definitivisht kjo çon kah shkatërrimi i arsimit. Çdo reformë ka dhe pasojat e veta pavarësisht se ka dhe të mirat e veta. Çdo ministër që ka ardhur në krye të ministrisë, ka ardhur me programin e vet, jo me sistemin e librave të Kembrixhit, jo programin hap pas hapi, mos t’i përmendi të gjitha me rend, por besoni se edhe ne, mësimdhënësit, kemi problem se cilën reformë nga cili ministër ta praktikojmë. Sapo e përvetësojmë njërën, vijnë ndryshimet dhe ajo bie poshtë e duhet vazhduar me një tjetër, pasi çdo ministër që ka ardhur, ka iniciuar reforma të reja dhe nuk i ka vazhduar të njëjtat”, thotë Jahiu.
Premtohet përfshirja e palëve në realizimin e reformave
Nga Ministria e Arsimit thonë se pavarësisht ndryshimeve të shumta që ka pasur në drejtimin e këtij institucioni, mbeten të përkushtuar në realizmin e reformave në përputhje me standardet e vendeve të zhvilluara evropiane.
Pjesë e realizmit të reformave është propozimi për ndryshimin e Ligjit për libra dhe materiale mësimore për arsimin fillor dhe të mesëm, i cili mes tjerash parasheh digjitalizimin e librave, përkatësisht zëvendësimin e librave klasik me ata në formë elektronike.
Ky ligj është tërhequr nga procedura parlamentare pasi shumë individë, organizata dhe shoqata nuk arritën të japin propozimet e tyre rreth ndryshimeve të propozuara.
Nga dikasteri i Arsimit thonë për Radion Evropa e Lirë se do të mbeten të hapur për çdo sugjerim nga ana e ekspertëve në këtë lëmi.
“Sa i përket ligjit të ri për tekstet dhe materialet tjera mësimore në arsimin fillor dhe të mesëm, siç është paralajmëruar, ai sërish do të jetë objekt i një debati publik, për t’u dhënë mundësi të gjithë atyre subjekteve dhe aktorëve shoqërorë që më parë nuk kanë marrë pjesë dhe dëshirojnë të kontribuojnë me sugjerimet apo propozimet e tyre në krijimin e një versioni më të mirë të ligjit”, thuhet në përgjigje nga Ministria e Arsimit.
Forumet e të rinjve ankohen për mospërfshirje në debat
Por, nga Forumi Arsimor i të Rinjve thonë se përfaqësuesit e kësaj organizate deri më tani nuk janë përfshirë në konsultime apo debat lidhur me Ligjin për libra dhe materiale mësimore për arsimin fillor dhe të mesëm, i cili mes tjerash parasheh digjitalizimin e librave.
“Sa i përket digjitalizimit të librave shkollorë, ne e mbështesim këtë proces dhe vlerësojmë se duhet të ndiqen trendët bashkëkohor. Problem është se ky proces u përshpejtua. Mbase duhet të realizohej një proces i tranzicionit ku do të ishim të sigurt se trekëndëshi mësimdhënës – nxënës – prind do të ishte i gatshëm të futet në botën e digjitalizimit”, thotë Petar Brllallovski nga Forumi Arsimor i të Rinjve.
Nga ana tjetër, Samet Jahiu, thotë se procesi i digjitalizimit të librave duhet të jetë në përputhje me mundësitë që kanë shkollat dhe vetë nxënësit.
“Shumica e nxënësve nuk kanë kushte, si pika e parë, që të kyçen në procesin e digjitalizimit, nuk kanë rrjet, nuk kanë kompjuterë. Prandaj, ne gjithmonë kemi thënë se librat duhet të ekzistojnë, pa marrë parasysh se sa është modernizimi i arsimit.
Nuk e di prej nga Maqedonia e Veriut synon të jetë aq e përgatitur për sa i përket aplikimit të librave digjitalë kur edhe shtet ku prodhohet teknologjia më moderne nuk e praktikojnë këtë metodologji të punës. Maqedonia e Veriut po ik 10 hapa para shteteve të zhvilluara në letër, por në praktikë kushtet në shkolla janë të mjerueshme” konsideron Jahiu.
Ndryshe, reformat në arsim mbeten shtylla kryesore për të harmonizuar kuadrot që dalin nga shkollat me kërkesat që ka tregu i punës./GazetaSinjali/