image Ndërpritet gjykimi ndaj Enver Sekiraqës

Drejtësi

Ndërpritet gjykimi ndaj Enver Sekiraqës

news image

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është ndërprerë gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, pasi që dëshmitari Arben Berisha ka kërkuar avokat.

Para fillimit të dëgjimit të tij, dëshmitari Berisha tha se gjatë marrjes në pyetje dëshiron të ketë praninë e avokatit të tij.

Kjo kërkesë e dëshmitarit nuk u kundërshtua nga mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi.

“Sa i përket kërkesës së dëshmitarit, pavarësisht se paksa na zuri në befasi, megjithatë është e drejtë e tij ligjore që ta ketë prezent mbrojtësin e tij edhe pse këtu është në cilësi të dëshmitarit”, tha Kelmendi.

Gjithashtu, një gjë e tillë nuk u kundërshtua as nga prokurori special Haki Gecaj, i cili tha se është e drejtë e tij ligjore, e nuk u kundërshtua as nga i dëmtuari Shefqet Riza.

Ndryshe, dëshmitari Berisha ka thënë se gjatë dhënies së deklaratave të mëparshme lidhur me këtë rast e ka pasur avokatin, Ramiz Krasniqi.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi, tha se nga trupi gjykues aprovohet propozimi i dëshmitarit Berisha që gjatë marrjes së tij në pyetje, të jetë i pranishëm edhe avokati Krasniqi.

Seanca është ndërprerë dhe pritet të vazhdojë pas pak./Betimi për Drejtësi/

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/