image Ndërpriten fluturimet në aeroportin e Frankfurtit

Evropë

Ndërpriten fluturimet në aeroportin e Frankfurtit

news image

Fluturimet në aeroportin më të ngarkuar të Gjermanisë – atë të Frankfurtit, u ndërprenë përkohësisht, pasi aktivistët për mbrojtjen e klimës filluan një protestë afër pistave të aeroportit.

Zyrtarë të aeroportit më herët shkruan në rrjetin X: “Pasagjerëve u kërkohet që të mos shkojnë në aeroport tash për tash”, duke i këshilluar udhëtarët që ta kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre. Në një përditësim të mëvonshëm, aeroporti tha se “operacionet e fluturimeve janë duke rinisur gradualisht”, raporton gazeta “The Guardian”.

Një zëdhënës i policisë i tha agjencisë së lajmeve AFP: “Ne po bëjmë gjithçka për t’i larguar aktivistët e klimës nga asfalti.”

Sipas grupit të aktivistëve për mbrojtjen e klimës, “Letzte Generation”, gjashtë anëtarë të tij e kishin prerë rrethojën me tela para se të futeshin përreth pistës.

Në një fotografi të publikuar nga ky grup shihej një protestues i ulur në asfaltin e pistës me një parullë ku shkruhej “karburanti vret”.

/GazetaSinjali/