Një ngjarje e hidhur ka tronditur vendin ditën e djeshme pasi një 19-vjeçar humbi jetën tragjikisht në vendin e tij të punës duke rënë nga lartësia e objektit banesor i cili ishte duke u ndërtuar. Në ndërtesën ku po zhilloheshin punimet, nuk kishte skele e as mjete të tjera mbrojtëse, shkruan Gazeta Sinjali.
Për rastin tragjik të Klodian Zogaj, Policia ka ndaluar për 48 orë pronarin e kompanisë “Murator Zogaj”, Shqipron Zogaj.
Brenda afatit ligjor pritet të ushtrohet kerkesa për caktimin e masës së sigurisë.
Ndryshe, lajmin për vdekjen e 19-vjeçarit e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Lidhur me rastin është intervistuar një i dyshuar, menaxheri i kompanisë ku ka punuar viktima, i cili është edhe familjar i viktimës, si dhe një dëshmitar. Me rastin janë duke u marr Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren nën udhëheqjen e prokurorit të shtetit”, u shpreh ai.
Sipas raportit të Policisë, 19-vjeçari dyshohet se ka humbur jetën, duke rënë nga kati i tretë nga skelet. Megjithatë, nga fotografitë e shkrepura në vendin e ngjarjes, shihet se ndërtesa ku punonte i ndjeri, nuk kishte skele.
Në vendngjarje kanë dalë Policia dhe mjekët nga emergjenca, të cilët kanë konstatuar vdekjen e tij.
“Me datën 26.05.2023, rreth orës 14:50 dyshohet se në rrugën “Ekrem Rexha” në një objekt banesor në ndërtim e siper, një person i moshës 19 vjeçare (K.Z.), gjatë punimeve dyshohet se ka humbur jetën, duke rënë nga një lartesi e konsiderueshme”, ka deklaruar Bytyqi.
“Policia ka dal ne vendngjarje dhe është duke u marr me rastin. Viktima ka rene nga Kati i tret nga skelet. Ne vendngjarje kan dal edhe mjeket nga emergjenca të cilët kanë konstatuar vdekjen e tij”, tha Bytyqi.