image Ndalohet personi i pestë për vrasjen e 22-vjeçarit në Gjilan

Siguri

Ndalohet personi i pestë për vrasjen e 22-vjeçarit në Gjilan

news image

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve edhe një i dyshuar, me inicialet R.I., për shkak të dyshimit se ka qenë i përfshirë në vrasjen që ndodhi mbrëmë në Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit R.I., ka lëshuar aktvendim mbi ndalim për veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj tij do të vazhdojë me procedurat e tjera hetimore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

R.I., është i dyshuari i pestë që ndalohet nën dyshimin se është përfshirë në përleshjen e armatosur gjatë së cilës u qëllua për vdekje 22-vjeçari, Egzon Rafuna.

Nga kjo përleshje mbeti i plagosur Valdrin Halimi, nga fshatin Pogragjë i kësaj komune, i cili po ashtu është në mesin e të dyshuarve.

Për shkak të lëndimeve që ka marrë, Valdrini është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i 22-vjeçarit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/