Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se sot në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, rreth orës 13:50 minuta, ka ndaluar të pandehurin B.R., zyrtar policor në Stacionin Policor në Gjilan, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’ dhe ‘’Mashtrimi’’, shkruan Gazeta Sinjali.
Siç njofton Prokuroria, sipas kërkesës së prokurorit të rastit, me urdhër të Gjykatës kompetente në Gjilan është realizuar bastisja në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Përlepnicë të Gjilanit, ku në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një telefon Samsung, një kartelë Vala, një kartelë Ipko, një tabletë i markës Lenovo, një kompjuter i markës HP, si dhe një USB.
“I pandehuri B.R., pas intervistimit nga ana e hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës, me urdhër të prokurorit të rastit është dërguar në ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orëve”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.