Policia e Kosovës ka ndaluar një person të dyshuar për falsifikim dokumentesh gjatë një kontrolli rutinë në Mitrovicë të Veriut. I dyshuari, shtetas kosovar, ishte me urdhërarrest aktiv për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjatë ndalimit ai ishte prezantuar me një identitet tjetër. Zyrtarët policor, përmes vigjilencës, kanë identifikuar se letërnjoftimi me të cilin ishte prezantuar dyshohet të jetë i falsifikuar. Po ashtu, gjatë kontrollit ndaj tij është gjetur edhe një patentë shoferi e falsifikuar.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” sipas nenit 390 të Kodit Penal. Gjithashtu, janë duke u zhvilluar hetime për dyshime lidhur me kryerjen e veprës penale “Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve” sipas nenit 277H të ligjit 08/L-188.
Dokumentet e dyshuara për falsifikim janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari është intervistuar nga hetuesit e NJRHKEK – Mitrovicë Veri dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!