Një i ri ka përfunduar nën hetim në Prishtinë pasi Policia gjatë kontrollit të veturës së tij ka gjetur një armë me fishek në tytë dhe municion të gatshëm, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se njësia policore kishte ndaluar në rrugën B një veturë “Audi A3”, të cilën e drejtonte Arian Isufi.
Gjatë kontrollit, Policia kishte zbuluar një armë të tipit “Derya” 9×19, me një fishek të vendosur në tytë dhe edhe 13 fishekë të tjerë në karikator.
Sipas informacioneve, i dyshuari posedonte leje për armën, por problemi kishte të bënte me mënyrën e mbajtjes dhe transportimit të saj.
Fillimisht, rasti ishte trajtuar vetëm si raport operativ, por më pas Policia kishte kërkuar sqarime nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me parregullsitë e konstatuara.
Pas përgjigjes zyrtare nga MPB, ku ishte kërkuar vazhdimi i procedurave ligjore, është njoftuar Prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të paraqitet sërish bashkë me armën për intervistim në prani të avokatit mbrojtës.
Pas procedurave hetimore, ndaj Arian Isufit është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Arma është konfiskuar nga Policia, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!