image Ndalohet me armë pa leje dhe marihuanë në Gërdoc – I dyshuari: “Armën e bleva në poligon, fishekët tek koshat në Gërmi”

Ekskluzive

Ndalohet me armë pa leje dhe marihuanë në Gërdoc – I dyshuari: “Armën e bleva në poligon, fishekët tek koshat në Gërmi”

news image

Gazeta Sinjali mëson se një person është ndaluar nga Policia në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Gërdoc të Podujevës, pasi gjatë kontrollit në veturën që po drejtonte, i janë gjetur armë zjarri dhe substancë narkotike.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është A. S, 28 vjeçar, i cili rreth orës 00:10 është ndalur nga njësia e hetimeve të Stacionit Policor Podujevë, teksa po drejtonte një veturë të tipit VW Golf.

Gjatë kontrollit fizik, në brezin e tij është gjetur një armë zjarri, me një karikator dhe 17 fishekë të kalibrit 9×19 mm, ndërsa në trup i është gjetur edhe një sasi prej 0.75 gramë marihuanë.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës ku ka pranuar se armën e kishte blerë në një poligon të quajtur “Reload”, dhe fishekët i kishte marrë tek “koshat në Gërmi” nga një person i panjohur.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të iniciohen dy raste penale për: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Ndërsa i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt.

Hetimet janë në zhvillim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/