image Ndalet zyrtari në Kllokot, dyshohet se mori mbi 39 mijë euro paga pa shkuar në punë

Siguri

Ndalet zyrtari në Kllokot, dyshohet se mori mbi 39 mijë euro paga pa shkuar në punë

news image

Një zyrtar i Komunës së Kllokotit është ndaluar nga autoritetet pas dyshimeve se ka përfituar paga shtetërore për rreth shtatë vjet pa u paraqitur fare në vendin e punës.

Sipas hetimeve të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari me iniciale S.S., në cilësinë e zyrtarit për kulturë, rini dhe sport dhe menaxher i bibliotekës, dyshohet se nga viti 2019 deri në mars 2026 ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme paga mujore nga buxheti i shtetit.

Autoritetet thonë se gjatë kësaj periudhe ai nuk është paraqitur në punë dhe nuk ka ushtruar asnjë detyrë zyrtare, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej mbi 39 mijë euro.

Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit janë duke u zhvilluar hetime, ndërsa pritet që brenda afateve ligjore të kërkohet masa e sigurisë në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Rasti po trajtohet me prioritet nga organet e drejtësisë dhe hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me njësitë përkatëse.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/